2002

Me 14 numra të botuar të revistës, me dhjetëra organizime dhe aktivitete që kishin mobilizuar mijëra të rinj, në vitin 2002, Syri i Vizionit" hyri me planet për të zgjeruar aktivitetin më shumë si organizatë e re. Revista kishte rritur numrin e aktivistëve që angazhohen në rreth 50 të rinj, të gatshëm të aktivizohen vullnetarisht edhe në aktivitete tjera. Por pavarësisht angazhimit të tyre vullnetar, mbajtja e revistës ishte e kushtueshme dhe ashtu si gjithë mediat në Kosovë, edhe "Vizioni" mbeti pa fonde, që bënë që revista të mos dalë për më se një vit. Kjo periudhë u shfrytëzua për zgjerimin e aktiviteteve dhe shtimin e rrethit të aktivistëve, kërkimin e donatorëve dhe mbledhjen e fondeve në mënyrë vetanake. Në këtë vit “Syri i vizionit” bashkë me organizata tjera rinore është bashkëthemeluese e Rrjetit rinor të Pejës, një rrjeti i OJQ-ve vendore, që në periudhën katër vjeçare zhvilloi disa projekte në komunën e Pejës.

Aktivizimi rinor dhe Kërkimi i fondeve

Aktivitetet tjera vazhduan me organizimin e një koncerti të madh me rastin e Ditës së Shën Valentinit. Koncerti ftonte të rinjtë të ndjejnë së bashku në ditën e të dashuruarve. Në këtë organizim që u mbajt në Palestrën sportive “Karagaç” morën pjesë 2 mijë të rinj. Pas kësaj, gjatë këtij viti me organizimin e “Vizionit” janë mbajtur edhe shumë mbrëmje rinore, aktivitete argëtuese, koncerte dhe shumë aktivitete të ndryshme që mblidhnin rininë pejane në argëtim por edhe me ftesën e vazhdueshme për angazhim. Në ndërrimin e viteve “Vizioni” organizonte “New Year party”, me pjesëmarrje të qindra të rinjve. Këto aktivitete njëkohësisht i shërbenin qëllimit për ngritjen e fondeve të duhura për të arritur të vazhdohet publikimi i revistës "Vizioni", që kishte mbetur pa fonde dhe kishte disa muaj që nuk po botohej. Sigurimi i fondeve dhe vazhdimi i aktiviteteve, në këtë periudhë ishte shndërruar në qëllimin kryesor të organizatës, posaçërisht pas humbjeve financiare që kishin mbetur nga organizimi i ditës së Shën Valentinit, ku në mungesë të sigurimit për objektin, nuk ishte arritur të menaxhohet hyrja e njerëzve dhe kontrolli i biletave. Në këtë periudhë bashkëpunimi me OSBE-në erdhi në një moment shumë të nevojshëm dhe i shërbeu posaçërisht ngritjes së kapaciteteve të organizatës dhe zgjerimit të projekteve të saj. Nga kjo periudhë OSBE u bë një partner i rëndësishëm i organizatës në shumë aspekte. Nga ky bashkëpunim ishte nxitur krijimi i Rrjetit Rinor të Pejës dhe bashkëpunimi për përgatitjen e gazetës avokuese të shoqërisë civile “Kasneci”.

Miss Peja

Një aktivitet tjetër i rëndësishëm në këtë periudhë ishte edhe organizimi i spektaklit Miss Peja 2002. “Syri i Vizionit” kishte marrë përgjegjësinë për realizimin e këtij spektakli, një organizëm me përmasën dhe përgjegjësinë shumë më të gjerë sesa organizimet tjera të mëparshme që kishte bërë Vizioni. Organizimi këtë vit për herë të parë po bëhej nën përkujdesjen e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport me organizimin e kompanisë “Art Motion” me qendër në Gjenevë. Përfaqësia e tyre në Prishtinë kishte përzgjedhur “Syrin e Vizonit” për organizimin në Pejë që e bëri këtë organizim në bashkëpunim me drejtorinë komunalë për kulturë. Juria e krijuar nga “Syri i Vizionit” kishte zgjedhur Njomëza Rozhajen nga Peja si miss Peja, çmim që i hapi asaj automatikisht rrugën për të marrë pjesë në Miss Kosova, në të cilën ajo pastaj u shpall edhe Miss Kosova 2002. Veç missit, nga konkursi në Pejë janë përzgjedhur edhe dy vajza tjera për pjesëmarrje në Miss Kosova, që poashtu kanë marrë çmime të ndryshme edhe në garën e bukurisë në nivelin qendror të mbajtur në Prishtinë. Organizmi i këtij spektakli i shërbeu masivizimit të organizatës, sepse tregoi profesionalizimin e organizatës dhe aftësitë organizative të saj për t’u marrë edhe me projekte më masive siç është ajo e përzgjedhjes së miss-it.

Rrjeti i të Rinjve Pejë

Rrjeti rinor i Pejës u formua në prill të vitit 2002 me iniciativën e 7 organizatave dhe Qendrave rinore dhe të përkrahur nga zyra rajonale e OSBE –së në Pejë. Një prej themeluesve të këtij rrjeti ishte edhe Syri i Vizionit. RrRP-ja në Pejë mblidhte një numër të madh të të rinjve nga komunitetet që jetojnë në komunën e Pejës si shqiptarë, serbë, boshnjakë, egjiptian dhe romë, që përfaqësoheshin në rrjet përmes OJQ-ve dhe Qendrave Rinore që vepronin në Pejë. Rrjeti kishte bordin ekzekutiv me shtatë anëtarë, kishte asamblenë që mblidhej çdo gjashtë muaj, kurse udhëhiqej me rrotacion, secila organizatë nga një vit. Gjatë vitit 2002 RrRP realizoi disa projekte: trajnimet për kompjuterë me liderët e organizatave rinore anëtare të Rrjetit me përkrahje nga organizata irlandeze “Concern” dhe OSBE zyra në Pejë. Gjatë këtij trajnimi për 1 muaj janë trajnuar 20 liderë të rinj nga të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Pejës. Projekti “Iniciativa e të Rinjve për Pajtim” mblodhi 80 të rinj nga Peja anëtarë të organizatave anëtare të Rrjetit në Brezovicë. Qëllimi i këtij projekti ishte të kyçen liderët e rinj nga të gjitha përkatësitë e ndryshme etnike nga komuna e Pejës në iniciativë të përbashkët me qëllim të vendosjes së lidhjeve shoqërore mes veti, të kuptojnë se çdo lloj diskriminim dhe paragjykimi kundër pakicave apo dhe grupeve shumicë është pengesë e madhe për zhvillimin e shoqërisë kosovare. Në muajin nëntor, 13 të rinj nga organizatat anëtare të RrRP-së udhëtuan në Irlandën Veriore me qëllimi të shkëmbimit të ideve dhe marrjes së përvojës mes tyre dhe të rinjve nga Irlanda. Ata qëndruan për 7 ditë në Qendrën për Paqe dhe Pajtim në qytetin Corrymeela ku mësuan për historinë dhe bashkëjetesën mes kulturave katolike dhe protestante në këtë vend dhe përvojën e tyre në menaxhimin e konfliktit që kanë kaluar për një kohë të gjatë.

Kasneci

Bashkëpunimi dhe përkrahja e vazhdueshme nga OSBE në muajin korrik të vitit 2002 solli deri tek bashkëpunimi mes "Syrit të Vizionit" me OSBE-në në Pejë për publikimin e gazetës avokuese "Kasneci". Gazeta ishte krijuar nga OSBE botohej në dy gjuhë shqip dhe serbisht dhe shpërndahej falas nëpër komunat e rajonit. Gjatë vitit 2002 dhe vitin në vazhdim, “Syri i Vizionit” ishte partner me OSBE në realizim. Fillimisht bashkë OJQ “Lingua” u përgatitën 4 numra të financuar nga OSBE dhe KSCF, pastaj “Syri i vizionit” bashkëpunoi me OSBE-në edhe për gjashtë numra të tjerë në të cilët bëhej shpërndarja dhe dizajni. Ai u botua në 8500 kopje në gjuhën shqipe dhe 850 në atë serbe dhe u shpërnda në tërë regjion: Pejë, Deçan, Klinë, dhe Istog dhe mbante emrin si gazetë e shoqërisë civile. Në këtë periudhë Kasneci përgatitej nga Departamenti për Demokratizim i OSCE, me shtim të vazhdueshëm të rolit të “Vizionit” në vazhdim. Nga numri 25 në vitin 2004 përgjegjës në tërësi për publikimin dhe shpërndarjen e gazetës u bë “Syri i Vizionit” ndërsa OSBE merrej vetëm me financimin. Gazeta "Kasneci" u publikua nga "Syri i Vizonit" deri në vitin 2007 dhe ishte një nga projektet e rëndësishme që i shërbeu organizatës për ta zgjeruar dhe shtyrë më tej me sukses misionin e saj avokues. Në vitin 2005 gazeta fillimisht bashkëfinacohej nga OSBE dhe USAID, e pastaj u shkëput tërësisht nga OSBE.

Biblioteka Vizioni & CD-DVD club

Me angazhimin e stafit të organizatës dhe në kërkim të formave të reja të veprimit për të nxitur të rinjtë drejt librit, në këtë periudhë u krijua ideja që në zyrat e organizatës të krijohej një bibliotekë, që më pas u pasua edhe me CD-DVD klubin. Biblioteka u krijua në mënyrë të thjeshte dhe pa shpenzime: të gjithë anëtarët e organizatës sollën nga shtëpitë e tyre libra dhe u bënë thirrje edhe të tjerëve që të sjellin aty libra tjerë. Në këtë mënyrë për një periudhë shumë të shkurtë u krijua një fond prej mbi 1000 librash dhe 700 CD, që u vënë në dispozicion për të interesuarit për lexim. Në vazhdim gjatë viteve tjera numri i librave dhe CD-ve shtohej vazhdimisht. Përveç që këto libra i dhanë një pamje të re zyrës dhe ambientit të organizatës, ato ishin një mënyrë për krijimin e pak të ardhurave për nevojat e organizatës, në kohën kur nuk kishte shumë donator që mund të ndihmonin organizatat e reja e posaçërisht ato që merreshin me tematikat rinore dhe me informimin. Biblioteka ishte njëlloj thirrje e vazhdueshme për të rinjtë t’i qasen me lehtë librit dhe për krijimin e një lidhje me leximin dhe dijen në përgjithësi, si pjesë e misionit të organizatës.

Broshura mbi OJQ-të e grave

Gjatë këtij viti Syri i Vizionit u angazhua për hulumtimin dhe publikimin e gjendjes në sektorin e organizatave të grave. Organizatat e grave që kishin filluar të krijohen pas luftës, kishin arritur një numër të madh në rajon. Përkrahja dhe forcimi i këtyre organizatave ishte i rëndësishëm në këtë periudhë, si pjesë e angazhimit të shoqërisë për barazi gjinore por mungonte informacioni për gjendjen dhe angazhimin e tyre. E angazhuar nga Departamenti i Demokratizimit pranë OSBE në Pejë, OJQ "Syri i Vizionit" në muajin nëntor publikoi një broshurë me të dhënat për të gjitha organizatat e grave në rajon që vepronin në atë kohë. Botimi i saj u bë pas një procesi të hulumtimit dhe mbledhjes së informatave në terren. Broshura ofronte të dhëna për rreth 45 organizata në rajonin e Pejës që mbulonte Pejën, Istogun, Deçanin dhe Klinën, të dhëna në një vend për këto organizata, punën e tyre, kapacitetet dhe projektet që janë duke implementuar ato në terren. Broshura u botua në tri gjuhë shqip, serbisht dhe anglisht.

Regjistrohu për info

Video

Wedding on a bike on the Korzo in Peja