mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet kampi rinor “Të rinjtë liderë të paqes”

05.03.2012


Organizata “Syri i Vizionit” për dy ditë me radhë ka mbledhur më se 30 të rinj nga të gjitha komunitetet në një kamp të përbashkët për hartimin e strategjisë së veprimit për të rinj.
Hotel “Trofta” në Istog ishte vendi ku të rinjtë e fshatrave apo lagjeve më të margjinalizuara të komunave Pejë, Klinë dhe Istog, për dy ditë më radhë u takuan së bashku dhe punuan në hartimin e strategjisë së veprimit, që ka për qëllim ringjalljen e aktiviteteve të ndryshme në këto zona dhe aktivizimin e këtyre të rinjve, që ata vetë të organizohen në përmirësimin e jetës së tyre, të avokojnë për realizimin e të drejtave të tyre te institucionet përgjegjëse, që edhe kjo shtresë e të rinjve të jenë pjesë aktive e shoqërisë.


Këta të rinj gjatë këtyre dy ditëve të qëndrimit në kamp kanë trajtuar, debatuar dhe analizuar probleme të shumta me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë apo që i preokupojnë, siç janë aspekti ekonomik, edukimi, shëndetësia, mjedisi, kultura, sporti, etj.
Qëllimi i këtij kampi ishte që të gjitha problemet që i paraqesin këta të rinj të finalizohen me një dokument ku në mënyrë specifike trajtohen dhe ky dokument të paraqesë gjendjen momentale të këtyre të rinjve dhe nevojës që ata kanë për t’u aktivizuar dhe për të kontribuar të gjithë së bashku pa marrë parasysh dallimet etnike, fetare e racore në përmirësimin e ambientit ku ata jetojnë.

Kjo strategji do të shërbejë edhe si mjet i avokimit drejt institucioneve përgjegjëse që të gjitha nevojat që kanë dalë nga vetë të rinjtë të përfshihen në planet e veprimit që kanë departamentet për kulturë rini dhe sport në të tri komunat.
Organizimi i këtij kampi për hartimin e strategjisë së veprimit është pjesë e projektit “Të rinjtë, liderë të paqes” që organizata Syri i Vizionit ka realizuar në tri komunat Pejë, Klinë dhe Istog, më të rinjtë e të gjitha komuniteteve, e sidomos me të rinjtë e zonave rurale dhe është mbështetur nga organizata Care International.

Përveç këtij kampi në kuadër të këtij projekti janë realizuar edhe vizita të shumta të këtyre të rinjve në drejtoritë për kulturë, rini dhe sport si dhe në qendrat rinore që janë aktive në këto tri komuna, që këta të rinj të njoftohen më shumë me punën e tyre dhe mundësitë e angazhimit të tyre në aktivitet të ndryshme.