mendo globalisht,
vepro lokalisht

Liderët e bashkësë territoriale të Raushiqit trajtojnë problemet në fshatrat e tyre

26.02.2013



25 shkurt- Organizata Syri i Vizionit vazhdon aktivitetet e saj dhe programet në fuqizimin e Qytetarisë Aktive, duke bërë që qytetarët të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën publike dhe në vendimmarrje, duke ndikuar që politikat e institucioneve qofte lokale apo qendrore të jenë të orientuara në problematikat e qytetarëve duke krijuar kushte më të mira jetese për ta.
Në vazhdën e takimeve të shumta me qytetarë sidomos në zonat rurale, takimi i radhës ishte me liderët e bashkësisë lokale të Raushiqit, bashkësi kjo që përbehet nga fshatrat, Loxhë, Zllopek, Raushiq, Lubeniq dhe Bellopoje e Zagermë. Në këtë takim liderët e këtyre fshatrave kanë shprehur gatishmërinë e tyre të bashkëpunimit dhe kanë mirëpritur projektin e Syri i Vizionit, pasi sipas tyre ata kanë nevojë për mbështetje nga kushdo qoftë që të adresojnë problemet e tyre me kohë të institucionet dhe të përmirësojnë kushtet e jetesës së banorëve në këto fshatra.
Liderët e këtyre fshatrave janë shprehur se ballafaqohen me problematika të ndryshme, si me mungesë të ujit të pijes, ujëra të zeza, me rrjet të dobët elektrik, që shpesh herë rrezikon jetën e banorëve të këtyre fshatrave dhe shumë problematika tjera.  Ata kanë shprehur besimin se me angazhimin dhe punën më të madha nga ata, dhe me mbështetjen nga Syri i Vizionit do të arrijnë që problematikat e tyre t’i adresojnë për trajtim nga ana e institucioneve dhe një pjesë e tyre të zgjidhen gjatë këtij viti.
Syri i Vizionit përveç punës në komunitet në strukturimin e bashkësive lokale apo këshillave lokale, siç parashihen me ligj dhe rregullore komunale për bashkëpunim të komunës më fshatra dhe lagje urbane, rendësi të veçantë do t’i japë edhe zbatimit të këtyre aktive ligjore nga ana e institucioneve lokale, sidomos në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Rahovec.
Ky është viti i dytë që organizata Syri i Vizionit është duke punuar në zhvillimin dhe fuqizimin e Qytetarisë Aktive, falë mbështetjes së vazhdueshme nga organizata Suedeze Olof Palme internacional Center.