mendo globalisht,
vepro lokalisht

Të rinjtë flasin për rolin e femrave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes

18.04.2013

17 prill- Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur tryezë me të rinjtë e qytetit të Pejës ku është biseduar për përfshirjen e femrave në mekanizmat ekzistuese për ndërtimin e paqes.
Të rinjtë janë shprehur se shoqëria duhet të bëjë më shumë që pozita e femrave të jetë më e mirë në vendimmarrje. Ata kanë thënë se duhet bëhen më shumë fushata vetëdijesimi që femrat të trajtohen barabartë në shoqëri dhe të kenë mbështetjen e familjes dhe të vetë shoqërisë kosovare. Por nga ana tjetër, ata kanë kërkuar që edhe femrat duhet të jenë më këmbëngulëse dhe të këtë një vetëbesim më të fortë për të qenë të gatshme për të dhënë kontributin e tyre në institucione, biznese, politikë, etj.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin, asamblistë rinore në asamblenë komunale të Pejës, studentë të universitetit publik “Haxhi Zeka” dhe Kolegjit Evropian Dukagjini, të rinj nga institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, qendra rinore e organizata joqeveritare.

Tryeza “Gatishmëria e femrave dhe përfshirja e tyre në mekanizmat ekzistuese mbi ndërtimin e paqes” është mbajtur në kuadër të programit “Ngritja e pozitës së gruas në proceset e paqe-bërjes dhe paqe-ruajtjes” që ka për qëllim ngritjen e participimit të gruas gjatë proceseve të ndërtimit të paqes dhe të planifikimit pas konflikteve.

Ky projekt, po realizohet në disa komuna të Kosovës dhe është projekt i përbashkët i organizatave ndërkombëtare UN Women, EU dhe UNDP në partneritet me organizatat joqeveritare vendore.