mendo globalisht,
vepro lokalisht

Në Pejë debat për integrimin e Kosovës në BE

07.05.2013

07 Maj- Në javën e aktiviteteve kushtuar Evropës organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në bashkëpunim me EUPK (EU Perspective in Kosovo), kanë mbajtur një debat me temën “Të nisemi për Evropë”, qëllimi i të cilit ishte rruga e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Debati ka filluar më prezantimin e filmit dokumentar “Beso në atë që sheh”, ku është prezantuar puna dhe ndihma që Bashkimi Evropian ka investuar në disa sektorë në Kosovë, si në fushën e bujqësisë, administratës publike, shëndetësisë, turizmit, zhvillimin e trashëgimisë kulturore etj.
Të pranishmit në këtë debat ishin shumë entuziastë më investimet që po bënë BE-ja në Kosovë përmes programeve të saja dhe u zotuan se duhet bërë më shumë që Kosova të përfitojë shumë më shumë në kuadër të programeve që BE-së ka për Kosovën.
Gjithashtu të pranishmit thanë se Kosovës i duhet edhe shumë punë për të plotësuar kushtet e vëna nga BE-ja për të qenë pjesë e saj, madje tek pjesëmarrësit ka pasur perceptime të ndryshme se edhe sa vite i duhen Kosovës për t’u integruar në BE.
Ata, thanë se Kosovës i duhen se paku disa vjet për t’i plotësuar kriteret elementare për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, madje ata thanë së nuk bisedohet shumë për kushtet dhe kriteret e BE-së që janë për Kosovën, nga ana e institucioneve, shoqërisë civile dhe vetë mediat.
Në këtë debat të pranishëm ishin zyrtarë komunalë për integrime evropiane të komunave të rajonit të Pejës, njohës të integrimeve evropiane, studentë nga universiteti publik Haxhi Zeka në Pejë dhe Kolegji Evropian Dukagjini, shoqëria civile dhe mediat.