mendo globalisht,
vepro lokalisht

Shkolla ekonomike hap dyert për nxënësit e shkollave fillore

03.06.2013
Pejë, 03 qershor 2013- Shkolla e mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë ka organizuar Ditën e hapur të shkollës, në të cilën ka mirëpritur nxënësit e klasave të IX të të gjitha shkollave të mesme të ulëta të Pejës dhe prindërit e tyre për të prezantuar para tyre kapacitet e shkollës.

Rreth 1700 nxënës nga 28 shkolla të Pejës kanë pasur mundësi të shohin programet dhe mundësitë që ofron kjo shkollë për të përgatitur kuadro të duhura për tregun e punës. Për ta janë përgatitur materiale të ndryshme, prezantime dhe vizitë nëpër objektin e shkollës, në mënyrë që ata të shohin sa më shumë nga oferta që ka shkolla për nxënësit.

Dita e hapur e shkollës është mbajtur nën mbështetjen financiare nga organizata “Syri i Vizionit” nga Peja dhe Solidar Suisse, në kuadër të projektit “Mismatch”, që ka për qëllim lidhjen e shkollave të mesme profesionale me bizneset dhe krijimin e kuadrove sa më të përshtatshme për tregun e punës. Në Ditën e hapur të shkollës, janë të ftuar edhe përfaqësuesit e bizneseve në sektorin e hotelerisë dhe turizmit nga Komuna e Pejës.