mendo globalisht,
vepro lokalisht

Punëtori me shoqatat e fermerëve të rajonit të Prizrenit

05.07.2013


04 korrik 2013 – Prizren

Organizata Syri i Vizionit (SiV) në bashkëpunim me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) është në proces të implementimit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politik-bërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, i cili synon të kontribuojë në fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës (BSHBK).
Në kuadër të këtij projekti është mbajtur punëtoria me shoqatat e fermerëve të rajonit të Prizrenit, përfaqësues të drejtorive për bujqësi nga komunat Prizren, Rahovec, Suharekë, Malishevë, Dragash dhe Mamushë.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte analizimi i strategjive ekzistuese për bujqësi në rajon, problemet me të cilat ballafaqohen organizatat e fermerëve, zbatimi i ligjeve dhe urdhëresave administrative. Nga kjo punëtori kanë dalë rekomandime se çfarë duhet ndërmarrë BSHBK në planin e saj të punës dhe është bërë përcaktimi i prioriteteve sipas komunave.
Punëtori të tilla janë mbajtur edhe në rajonin e Pejës dhe Mitrovicës, ndërsa do të mbahen edhe në rajonin e Ferizajt/Gjilanit dhe rajonin e Prishtinës. Pas këtyre punëtorive do të mbahet një konferencë e përgjithshme, ku do të prezantohen të gjeturat, rekomandimet dhe specifikat e 5 rajoneve të Kosovës në zhvillimin e bujqësisë.