mendo globalisht,
vepro lokalisht

Punëtori rajonale me fermerët e Prishtinës

30.08.2013
Prishtinë, 29 gusht 2013 – Organizata Syri i Vizionit (SiV) në bashkëpunim me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) ka mbajtur një punëtori rajonale me fermerët e Prishtinës, në të cilën u diskutuan tema të ndryshme me rëndësi për sektorin e bujqësisë në këtë regjion dhe u dhanë rekomandimet lidhur me punën e BSHBK-së në të ardhmen. Në këtë punëtori në Prishtinë kanë marrë pjesë 52 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues nga institucionet lokale nga komunat Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë, Drenas, Lipjan, dhe Podujevë, shoqatat e fermerëve dhe fermerë individualë. Sektorët e përfaqësuar ishin sektorët e perimtarisë, prodhimit dhe përpunimit të qumështit, prodhimi i mishit të deles dhe pulës, bletarisë, pemëtarisë, etj.

Syri i Vizionit në bashkëpunim me IADK është në proces të implementimit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për politik-bërje dhe konsultim me Qeverinë në sektorin e bujqësisë”, i cili synon të kontribuojë në fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Bashkimit të Shoqatave Bujqësore të Kosovës (BSHBK).

Në kuadër të këtij projekti gjatë vitit janë mbajtur punëtori edhe në rajonet e Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, dhe Gjilanit, që janë përmbyllur me punëtorinë e fundit në regjionin e Prishtinës.
Me përfundimin e këtyre punëtorive në pesë regjionet e Kosovës, do të organizohet një konferencë qendrore, ku do të ftohen aktorë të ndryshëm që veprojnë në sektorin e bujqësisë, përfshirë institucione lokale dhe qendrore, organizata lokale dhe ndërkombëtare si dhe përfaqësuese të BSHBK-së, ku do të prezantohen të gjeturat nga 5 punëtoritë e mbajtura dhe do adresojmë rekomandimet për BSHBK, që të lobojnë në adresimin e tyre në institucione përkatëse.