mendo globalisht,
vepro lokalisht

Femrat e zonave rurale të gatshme për të qenë pjesë e vendimmarrjes

30.09.2013

27 shtator Klinë- Organizata Joqeveritare Syri i Vizionit ka filluar mbështetjen e iniciativës së femrave të fshatit Dugujevë të komunës së Klinës, që ka për qëllim fuqizimin e tyre dhe rolin aktiv në shoqëri duke qenë pjesë e institucioneve vendimmarrëse ku trajtohen çështjet e femrës.
Fillimisht me grupin e femrave të këtij fshati dhe fshatrave për rreth janë mbajtur disa trajnime që kanë për qëllim rritjen e vetëdijes së tyre mbi shëndetin riprodhues pasi që shumica prej tyre kanë mungesë të informatash mbi shëndetin riprodhues.  Pas trajnimeve ky fokus grupe do të ketë takime me zyrtarët institucionalë, si Zyrën për barazi gjinore dhe Zyrën për informim në Komunën e Klinës, që udhëhiqen nga femrat për t’u njohur më shumë më punën e këtij institucioni dhe rolin e femrës brenda këtij institucioni.
Gjithashtu do të realizohet një vizitë e grupit të femrave të fshatit Dugujevë dhe fshatrave për rreth në Komunën e Klinës ku do të njihen më së afërmi me punën e Kuvendit Komunal dhe me punën që ka bërë ky institucion në zhvillimin dhe fuqizimin e femrës në këtë komunë, e sidomos femrave në zonat rurale.
Ky projekt, ka për qëllim vetëdijesimin e femrës në zonat rurale dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën institucionale me theks të veçantë përfshirjen e femrës në jetën institucionale publike, projekt ky i dalë nga vetë femrat e fshatit Dugujevë që mbështet nga OJQ- Syri i Vizionit, në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” mbështetur financiarisht nga Olof Plame International Center dhe SIDA .