mendo globalisht,
vepro lokalisht

Fuqizimi i rolit të gruas në procesin zgjedhor - i rëndësishëm për shoqërinë

17.10.2013

Gjakovë, 17 tetor 2013 – Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DnV), ka organizuar të enjten një debat në Gjakovë me temën “Përfshirja e gruas në procesin zgjedhor në Komunën e Gjakovës”. Pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila (AKR), kandidatja për kryetare të Gjakovës, Arberie Nagavci, përfaqësues të Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjakovë, të Zyrës për Barazi Gjinore, përfaqësues të  shoqërisë civile, organizatave të ndryshme, etj.
Në debat është diskutuar për gjendjen aktuale të pjesëmarrjes së gruas në procesin zgjedhor dhe të përfaqësimit të saj në institucionet zgjedhore, si dhe gjetjen e alternativave për barazi më të madhe gjinore.
Ismet Kryeziu, udhëheqës i Demokracisë ka folur për vështirësitë me të cilat ballafaqohen gratë në procesin e fuqizimit politik dhe vendimmarrjes, si dhe në rolin e gruas në procesin zgjedhor në përgjithësi. Kryeziu ka kërkuar nga subjektet politike që t’i mundësojnë femrave pjesëmarrje dhe liri në procesin zgjedhor. “Shoqëria jonë dhe institucionet përgjegjëse duke përfshirë dhe partitë politike, duhet të sigurohen për nxitjen e pjesëmarrjes së gruas në votime dhe të garantojnë lirinë e saj të votës, si dhe të sigurohet se vota e saj numërohet saktë”, ka thënë ai.
Mimoza Kusari-Lila ka vlerësuar se roli i femrës ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në proceset politike, sidomos në ato zgjedhore. Ajo ka folur për hapësirën që subjekti i saj politik ka krijuar për femrat. “Femrat sjellin një kualitet qeverisës. Po ashtu, femrat komisioneve dhe vëzhguese janë shumë më agjile dhe të përgjegjshme”, ka vlerësuar Kusari-Lila, ndërkohë ka premtuar se në rast të marrjes së mandatit të kryetares së Gjakovës do të krijojë edhe më shumë hapësirë për femrat. Ajo ka përmendur mundësi si: formimi i këshillit të grave për biznes, kuotat prej 30 % në pjesëmarrje për në borde të ndërmarrjeve publike, alokime të linjave buxhetore të veçanta si për mbështetjen e lehtësirave për nënat vetushqyese, etj.
Arbërie Nagavci ndërkohë ka thënë se kuotat nuk janë të mira, edhe pse sipas saj është e vendosur që të ketë kuotë të përfaqësimit të gruas prej 30 për qind. Sipas saj, duhet të ketë më shumë barazi në përfaqësim. “Femrat nuk janë numra, kuotat duhet të jenë të tejkaluara, secila grua duhet të ketë mundësi të barabarta”, ka thënë Nagavci. Ajo më tej ka apeluar që gratë të përfshihen më shumë në procese dhe të jenë aktive në shoqëri duke premtuar dhe angazhuar që për një gjë të tillë ka nevojë që të punohet dhe në sensibilizimin dhe vetëdijesimin e burrave.
Ndërkaq, Drenusha Mula nga KKZ e Gjakovës ka folur për organizimin që KKZ ka bërë për këto zgjedhje, si dhe për nivelin e përfaqësimit të gruas në institucionet zgjedhore lokale. “Ka femra edhe në Këshillat e Vendvotimeve (KVV) dhe ka kryesuese edhe në KVV. Megjithatë, asnjë parti nuk ka deleguar asnjë femër në Komisionin Komunal Zgjedhor”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, Lumnije Shllaku nga zyra për barazi gjinore ka thënë se zyra që ajo përfaqëson nuk ka buxhet të veçantë që do të mund të ndikonte më shumë në përmirësimin e barazisë gjinore. “Kemi pasur aktivitete të shumta për promovimin e të drejtave të barabarta, sidomos të drejtave të grave”, ka shtuar Shllaku.
Ndërkohë, pjesëmarrësit në debat kanë kërkuar më shumë përgjegjësi dhe vëmendje të subjekteve politike për të krijuar më shumë mundësi dhe hapësirë që edhe gratë të jenë pjesë e rëndësishme në procesin zgjedhor. Po ashtu, pjesëmarrësit kanë kërkuar nga kandidatet për kryetare dhe asambleiste që të angazhohen më shumë për të drejtat e grave.
Debati është zhvilluar në kuadër të projektit për përfshirjen e gruas në proceset zgjedhore.