mendo globalisht,
vepro lokalisht

Qytetaria aktive sfidë për Qeverinë dhe komunat

20.12.2013


Prishtinë, 19 dhjetor- Organizata joqeveritare Syri i Vizionit nga Peja të enjten ka mbajtur konferencën me temën “Qytetaria Aktive” ku ka publikuar edhe një raport përmbledhës mbi punën qe ka bërë në fuqizimin e mbi qytetarinë aktive. Konferenca është mbajtur në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të MAPL-së, Asociacionit të Komunave të Kosovës, Komunat e Rrafshit të Dukagjinit, shoqëria civile dhe përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve të komunave të rajonit të Pejës dhe Prizrenit.

“Kosovës i duhet aktivizimi qytetarë dhe të gjithë ne duhet punuar shumë më shumë për të krijuar mundësi dhe hapësirë më shumë qytetarëve që të jenë pjesë e proceseve vendimmarrëse dhe për të adresuar problematikat e tyre tek institucionet në nivel lokal e qendror. Edhe pse është duke u punuar në këtë drejtim ende mbetet një sfidë për institucionet në nivel lokal dhe atë qendror”, ka thënë Vlora Latifi nga OJQ Syri i Vizionit.

Në anën tjetër, Lumnije Demi, drejtoreshë e zyrës për komunikim me publikun në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se “komunat i  kanë të gjitha mekanizmat ligjorë dhe mbështetjen e tyre për të rregulluar bashkëpunimin e tyre si komuna me liderët e fshatrave dhe lagjeve urbane, për të qenë më transparentë dhe më llogaridhënës ndaj qytetarëve,  por prapëseprapë këtu ka pasur një ngecje”.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse ka qenë mjaft e vogël, për çka ne si Ministri ju kemi rekomanduar komunave që të krijojnë mekanizma për rritje të pjesëmarrjes së qytetarëve apo publikut në vendimmarrje”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, zyrtarët komunalë të pranishëm në këtë takim janë pajtuar me vlerësimet e ministrisë dhe të pjesëmarrësve tjerë se pjesëmarrja e qytetarëve është e vogël në vendimmarrje. Ndërsa, sa i përket rregulloreve komunale për bashkëpunim mes komunave me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane, ata janë shprehur të shqetësuar se edhe aty ku janë miratuar në disa komuna, nuk mund të  zbatohen në përpikëri.

“Ne si komunë e Klinës ende nuk e kemi miratuar atë, pasi që kryetarët që zgjedhen në fshatra dhe lagje duhet t’u bëhet një lloj pagese apo stimulimi për angazhimin e  tyre për të qenë aktivë”, ka thënë Ali Shala nga zyra ligjore e komunës së Klinës.

Zyrtarët komunalë të pranishëm në këtë takim kanë kërkuar nga MAPL-ja t’i kërkojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të hartojë një linjë buxhetore që komunave t’u mundësohet një stimulim apo pagesë për përfaqësuesit apo të përzgjedhurit e këshillave lokale.

Në anën tjetër nga shoqëria civile dhe përfaqësuesit e disa fshatrave dhe lagjeve urbane kanë thënë se patjetër duhet të stimulohen këta liderë apo përfaqësues, sepse tashmë askush nuk dëshiron që të japë më kontribut vullnetar, por për të pasur një qytetari aktive dhe liderë aktivë që më kohë adresojnë problematikat e tyre drejt institucioneve duhet paguar apo stimuluar.

Shqipe Arifaj nga Asociacioni i Komunave ka thënë se komunave u është ofruar draft-rregullorja e gatshme që lidh drejtpërdrejt qytetarin me komunën, por disa ende nuk e kanë miratuar. “Ne si Asociacion vazhdimisht u ofrojmë trajnime zyrtareve për t’i vetëdijesuar mbi rolin dhe rëndësinë e përfshirjes si dhe bashkëpunimit të komunës më qytetarin dhe më shoqërinë civile në mënyrë që komunat të jenë më transparente dhe më llogaridhënëse”, ka shtuar Arifaj.

Përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të disa komunave kanë thënë se komunat dhe institucionet tjera duhet të jetë afër qytetarit qoftë në ofrim të informatave po ashtu edhe ofrim të shërbimeve.

“Komunat duhet jenë më shumë në terren, të bisedojnë me qytetarët në ato zona ku ata jetojnë. Jo gjithmonë duhet që ne qytetarët të shkojmë në komunë. Duhet gjenden forma që të stimulohemi që edhe ne si përfaqësues me kohë t’i paraqesim problemet me të cilat ballafaqohemi”, është shprehur Sejdi Baleci nga fshati Grabanicë e Klinës.

Në fund të konferencës kanë dalë disa rekomandime:

•    Komunat duhet të rrisin komunikimin me qytetarët përmes njoftimeve publike, takimeve të rregullta dhe përmes mediave,
•    Ministria e Financave në bashkëpunim më MAPL-në dhe komunat të krijojë mjete për stimulim të kryetareve të këshillave lokale,
•    Të rritet komunikimi i institucioneve komunale me ato qendrore dhe me shoqërinë civile në fuqizimin e qytetarisë aktive,
•    Institucionet duhet ofruar më shumë hapësirë dhe të krijojnë politika të veçanta për fuqizimin dhe përfshirjen e femrës në vendimmarrje.