mendo globalisht,
vepro lokalisht

“Ndryshimi kulturor që po sjell zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë”

26.12.2013

Komunikatë nga takimi


Pejë, 19 Dhjetor- Takimi i organizuar nga KADC në bashkëpunim me OJQ “Syri i Vizionit”, zyrën e OBSH- Prishtinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit dhe nxitjen e organeve përgjegjëse në kryerjen e detyrave ligjore për mbikëqyrjen efektive të zbatimit të këtij ligji. Në takim morën pjesë edhe inspektorati sanitar komunal- Pejë, inspektorati sanitar qendror, inspektorati i arsimit- Pejë, IKSHP-dega në Pejë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media nga komuna e Pejës.
Nga diskutimet në këtë takim u konstatua se zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit në komunën e Pejës është relativisht i mirë. Ka shkelje të ligjit (tymosje të duhanit) në lokalet gastronomike; nuk përjashtohen rastet e tymosjes së duhanit në institucionet publike. Përfaqësues të qytetarëve dhe shoqërisë civile deklaruan se ka shkelje të ligjit (tymosje të duhanit) në hapësirat e mbyllura.

Përfaqësues të inspektoratit sanitar në komunën e Pejës thanë se janë të angazhuar për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit duke përmendur këtu edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen siç është mungesa e stafit dhe pagat e vogla apo mungesa e stimulimit për punën jashtë orarit të rregullt. Sipas këtij inspektorati që nga hyrja e në fuqi e ligjit për kontrollin e duhanit janë inspektuar shumica e objekteve gastronomike. Me fillimin e sezonit dimëror është shtuar edhe numri i shkeljeve të ligjit (ndalimit të tymosjes në vende publike). Nuk kanë ngritur asnjë procedurë për kundërvajtje deri më tani.

Rekomandimet e nxjerra nga takimi
• Të formohet grupi koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Pejës i përbërë nga: inspektorati sanitar- Pejë (Xhelal Bytyqi), drejtorati i arsimit- Pejë (Musa Krasniqi), inspektorati i tregut- Pejë (Ismet Shabanaj), OJQ “Syri i Vizionit” (Enver Ulaj), OJQ “CTI” (Redzo Kojic), TV Dukagjini (Lirije Haziraj), Radio Peja (Besarta Muriqi), Policia e Kosovës- Rajoni Pejë dhe IKSHP OJQ “Merita” (Afërdita Këqiku- kryesuese e grupit koordinues), IKSHP- dega në Pejë (Arbnora Nurboja- koordinatore e grupit).
• Të mbahen takime të rregullta- së paku një herë në muaj të grupit koordinues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit në rajonin e Pejës.
• Të gjitha palët e përfshira në grup të raportojnë së paku një herë në muaj pranë grupit koordinues për punën e tyre dhe hapat që do të ndërmarrin për përmirësimin e zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit.
• Të identifikohen të ashtuquajturat “pika të nxehta”- vendet ku ka shkelje më të shpeshta të ligjit dhe të njëjtat të jenë subjekt i vizitave sistematike dhe i ndëshkimeve të parapara me ligj në rast se gjenden shkelje.
• Të organizohen vizita inspektuese të përbashkëta të inspektoratit komunal sanitar dhe policisë së Kosovës- rajoni i Pejës me prioritet në mjediset ku shkeljet e ligjit janë më të shpeshta.
• Të organizohen vizita inspektuese sipas mekanizmit “rotativ” ndërmjet inspektorateve sanitare të komunave të ndryshme duke përfshirë edhe inspektoratin sanitar qendror.
• Të rritet bashkëpunimi mes inspektoratit sanitar dhe lokaleve gastronomike me qëllim të informimit të tyre rreth kushteve të hapësirave shtesë (të hapura) ku mund të lejohet pirja e duhanit dhe eliminimi i atyre të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
• Të përpilohet një qarkore informative për rregullat e ndalimit të pirjes së duhanit në institucionet arsimore dhe t’u dërgohet drejtorëve të të gjitha shkollave në rajonin e Pejes.
• Të ndërmerren aktivitete vetëdijësuese në mediet lokale dhe kombëtare me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e ligjit për k. e duhanit. Gjithashtu, nëpër shkolla të ndërmerren aktivitete edukative-vetëdijësuese për rreziqet shëndetësore të konsumimit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.
• Të publikohet numri i dënimeve të shqiptuara ndaj subjekteve shkelëse të ligjit.