mendo globalisht,
vepro lokalisht

Protokolli për parandalim dhe referim të dhunës nw shkollat Bedri Gjinaj dhe Andon Zako Çajupi

17.06.2014

Mitrovicë, 17 Qershor - Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” vazhdon mbajtjen e punëtorive me këshillat e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta për Protokollin për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar. Për t’u njohur me këtë protokoll janë mbajtur takime pune të veçanta me këshillat drejtues të të dy shkollave fillore dhe tw mesme të ulëta “Bedri Gjinaj” dhe “Andon Zako Çajupi” të komunës së Mitrovicës.
Përfaqësuesit e këshillave drejtues dhe drejtorët e këtyre dy shkollave e kanë mirëpritur protokollin dhe kanë kërkuar që ky dokument të zbatohet dhe të mos mbetet vetëm në sirtarët e qeverisë dhe komunave. Madje ata janë zotuar që do të kërkojnë përgjegjësi prej të gjitha institucioneve që i obligon ky protokoll për të parandaluar dhunën në shkollat e tyre duke krijuar kështu një ambient shumë më human dhe më të sigurt për fëmijët që vijojnë mësimin në këto shkolla.

Protokolli përcakton detyrimet, qartëson rolet dhe procedurat e institucioneve për parandalimin, identifikimin, mbledhjen e të dhënave, referimin, trajtimin, raportimin e dhunës ndaj fëmijëve në institucionet e arsimit para-universitar. Sipas pjeswmarrwsve, ai po ashtu përforcon bashkëpunimin ndërinstitucional dhe multidisiplinar për të mbrojtur të drejtat e fëmijës dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna në institucionet para-universitare.
Trajnimi me këshillin drejtues të këtyre dy shkollave është mbajtur  në kuadër të programit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve (Together 4 children rigts- Child Protection)”, në partneritet me organizatën Save the Children. Projekti ka qëllim zhvillimin e një sistemi për monitorimin dhe raportimin e dhunës ndaj fëmijëve, duke krijuar politika të favorshme për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë që janë në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardeve të BE-së.

Ky projekt po implementohet në dhjetë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në pesë komuna të Kosovës: në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë. Përfituesit të këtij projekti janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.