mendo globalisht,
vepro lokalisht

Me prindërit trajtohen çështjet e sigurisë nëpër shkolla

09.07.2014

Pejë, 07 Korrik- Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” – SIV në partneritet me organizatën Qendra për hulumtim, Dokumentim dhe Publikim – QHDP kanë mbajtur një takim pune me prindërit e fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Pejës. Në takim është diskutuar për disa tema: parandalimi i dhunës në shkolla, siguria në shkolla, bartja e armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit në shkolla nga ana e nxënësve. Është diskutuar edhe për atë se sa ndjehen të sigurt prindërit gjatë kohës kur fëmijët i kanë në shkollë, rastet e dhunës dhe ngacmimit në mes të moshatareve si dhe për mekanizmat ballafaques.

Prindërit kanë vlerësuar si shumë të nevojshme ndërmarrjen e masave për siguri në shkolla dhe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për sigurinë e fëmijëve në shkollë, mos ndërmarrjen e vendimeve në mënyre të drejtë nga institucionet adekuate.
Sipas tyre, duhet të përmirësohet siguria në shkolla duke u vetëdijesuar prindërit për mbikëqyrje më të madhe të fëmijëve të tyre, si edhe përmes sigurimit të pavarur në shkolla, kamerave që s’duhet të menaxhohen nga stafi i shollës, por nga një ekip i jashtëm, ndërrimin e reformave arsimore me të drejtë përjashtimi dhe përsëritje të vitit për nxënësit, hartimin e rregulloreve të nënshkruara në mes të prindërve dhe shkollës.

Takimi është mbajtur në kuadër të projektit “Rrjeti ndër-kufitar i qytetarëve për paqe, pajtim të komuniteteve dhe liri njerëzore”, që Qendra për hulumtim,  dokumentim dhe publikim në partneritet me organizatën “Syri i Vizionit” janë duke e implementuar.
Të pranishëm në këtë takim ishin prindër të fëmijëve me mosha të ndryshme, të cilët kanë shprehur të mirat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen gjatë kohës kur i kanë fëmijët në shkollë. Poashtu ata kanë përgëzuar organizatat për organizimin dhe iniciativën e marrë për një çështje shumë të rëndësishme, e cila është shumë shqetësuese për prindërit, sidomos kohëve të fundit në Pejë. 

Në fund të takimit janë nxjerrë disa rekomandime që do t’i ndihmojnë hulumtimit të organizatave, i cili do të bëhet në nivel të përgjithshëm të vendit, që rezultatet e këtij studimi të mund të ndihmojnë institucionet të parandalojnë dhe reagojnë në mënyrë më të suksesshme ndaj rasteve të dhunës në mesin e të rinjve.