mendo globalisht,
vepro lokalisht

Komuniteti nëpër bashkësi lokale me shumë probleme lidhur me pronat

22.11.2014

Istog, 21 nëntor- Të premten në Istog është mbajtur një takim në të cilin përfaqësues të institucioneve të gjyqësorit, pushtetit lokal dhe përfaqësues të komunitetit në bashkësi lokale kanë bashkëbiseduar për problemet që kanë të bëjnë lidhur me pronat. Problemet që me dekada janë grumbulluar në këtë sektor,  çështjet jo rrallë të komplikuara të trashëgimisë, mos bartjes së dokumentacionit përkatës dhe mosfunksionimit të institucioneve në periudha të ndryshme, sipas pjesëmarrësve janë problem që duhet adresuar dhe duhet zgjedhur bazuar në ligjet ekzistuese.
Udhëheqës  nga Komuna e Istogut, shërbimet publike me kadastrën, bujqësia dhe administrata, përfaqësues të Gjykatës themelore, noterisë, avokatë dhe juristë kanë prezantuar qytetarëve legjislacionit dhe kanë paraqitur nevojat e bartjes me kohë të dokumentacionit përkatës.  Përfaqësuesit nga bashkësitë lokale të komunës kanë thënë se problemet në komunitet kanë të bëjnë me mos bartjen e trashëgimisë- nganjëherë edhe në disa breza, mos regjistrimin e shitblerjeve, tokat e pandara, të konfiskuara dhe të tjera çështje të pronësisë së papërcaktuar, për çka kanë pyetur dhe marrë përgjigjen e duhur.
Takimi është organizuar nga organizata Syri i vizionit në kuadër të projektit “Mbroje pronën tënde” që mbështetet financiarisht nga USAID/ATRC dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetarë dhe institucioneve mbi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të pronës.