mendo globalisht,
vepro lokalisht

Publikohet raporti monitorues “Realiteti Ynë”

31.12.2014

Komunikatë për media

Publikimi i raportit monitorues “Realiteti Ynë”

Prishtinë, 30 dhjetor- Grupi Monitorues i Fëmijëve "Respect Our Rights- ROR" dhe organizata Joqeveritare Syri i Vizionit, në partneritet me organizatën Save the Children të martën kanë mbajtur konferencën e përbashkët me institucionet që kanë për mandat mbrojtjen e fëmijëve dhe zbatimin e Konventës ndërkombëtare për të drejtat e tyre.

Në këtë konferencë është bërë publikimi i raportit në nivel shteti mbi zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë (KNDF), të hartuar nga vetë fëmijët me mbështetjen e vazhdueshme të organizatës Syri i Vizionit dhe Save the Children- zyra në Kosovë.

Raporti monitorues “Realiteti Ynë”, pasqyron situatën reale të fëmijëve dhe të drejtën e tyre në vendimmarrje, se sa pyeten ata për çështjet që kanë të bëjnë më ta, si dhe të drejtën e tyre për arsimim, që pos nga konventë ndërkombëtare, në Kosovë garantohen edhe me kushtetutë e dhe legjislacionin vendor.

Raporti nxjerr në pah se fëmijët nuk pyetën shumë, apo fare pak, për vendimet ku preket interesi i tyre, si në familje po ashtu edhe në shkollë, që do të thotë se ata nuk janë pjesë në vendimmarrje. Po ashtu raporti nxjerr në pah edhe shumë pakënaqësi që kanë të bëjnë me kushtet e arsimimit, siç është qasja fizike në shkolla, vijueshmëria e arsimimit për fëmijët në zonat e thella, formën e vlerësimit, përzgjedhjen e lëndës zgjedhore, uniformat dhe shumë çështje tjera me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë në shkollë.

Përfaqësuesit e grupit monitorues të fëmijëve kanë kërkuar që rekomandimet e dala në këtë raport të gjejnë zbatueshmëri të menjëhershme, që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe të kenë kushte më të mira për arsimim.

Ndërsa përfaqësuesi nga OJQ Syri i Vizionit dhe Save the Children, qw janw organizatat implementues të programit dhe themelues të grupit monitorues të Konventës, Naser Lajqi dhe Rebeka Qena, kanë thënë se qëllimi i tyre është që edhe Kosova të raportojë mbi zbatimin e KNDF-së, dhe vendi jonë të ketë një raport në nivel shteti sa i përket zbatimit të këtij dokumenti në vendin tonë.

Igballe Rrahmani nga Institucioni i Avokatit të popullit ka thënë se “shumë të dala nga raporti përkojnë edhe me kërkesat që ka pranuar institucioni i avokatit të popullit, si për mos pjesëmarrje të fëmijëve në vendimmarrje ashtu edhe në të drejtën për arsimim”. Ajo ka inkurajuar fëmijët që si grup monitorues të mos ndalen të bëjnë monitorimin e KNDF-së edhe në fushat tjera.

Mimoza Hasani Pllana nga MASHT, është pajtuar me gjetjet e raportit dhe ka inkurajuar fëmijët që të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e  tyre karshi institucioneve dhe familjeve të tyre, për çka edhe është zotuar se MASHT-i do të bëjë përpjekje që të përfshijë sa më shumë fëmijë të jenë pjesë e vendimmarrjes, sidomos kur ka të bëjë me arsimimin e tyre.

Diskutuesit në këtë konferencë janë pajtuar se të gjithë duhet të bëjnë më shumë që fëmijëve t’u ofrohen mundësi dhe kushte që ata të jenë pjesë në vendimmarrje dhe të kenë kushte më të mira për arsimim, pasi sipas tyre ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë pos të drejtat që ju garantohen më Konventë Ndërkombëtare dhe legjislacion vendorë.

Në konferencë kanë marrë pjesë: Ministria e Arsimit, zyra për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore në Prishtinë, Institucioni i Avokatit të Popullit, Policia e Kosovës, përfaqësues të institucioneve nga komunat dhe shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, prindër, organizata të shoqërisë civile që merren me mbrojtjen e fëmijëve dhe mediat.

Kjo konferencë organizohet në kuadër të programit “Qeverisja me të drejtat e fëmijëve-Monitorimi i KNDF-së", të implementuar nga organizata Syri i Vizionit në partneritet  me Save the Children zyra në Kosovë.