mendo globalisht,
vepro lokalisht

Thirrje nga Peja: Festo pa rrezik, festo pa armë

31.12.2014Komunikatë për media
Thirrje nga Peja: Festo pa rrezik, festo pa armë

Pejë, 31  dhjetor-
Në ditën e fundit të vitit dhe disa orë para ndërrimit të motmoteve, “Syri i Vizionit” ka mbështetur iniciativën e familjarëve të të ndjerës Shpresa Kastrati- Fetahaj, e qëlluar nga një plumb qorr në oborrin e shtëpisë së saj, derisa me familjarët po festonte Vitin e Ri.
Thirrja e kësaj familje: “Vitin e kaluar ishte motra jonë, këtë  vit mund të jetë motra juaj”, është bërë moto e thirrjes që është bërë kundër përdorimit të armëve gjatë festimit të ndërrimit të motmoteve, me të cilën janë ftuar qytetarët e Pejës që së bashku të japin mesazhin për festime pa të shtëna.
Të sensibilizuar edhe nga thirrjet e vazhdueshme të ditëve të kaluara që ka bërë Syri i Vizionit dhe aktivistët e organizatës sonë nëpër rrjetet sociale, një numër i madh qytetarësh kanë dalë në sheshin e qendrës së Pejës për të bartur këtë mesazh.
Thirrja e tyre  ka qenë që të kemi festime të qeta dhe familjare, pa të shtëna dhe pa rreziqe. Ata kanë kaluar rrugëve të Pejës nga universiteti “Haxhi Zeka”, ku ka qenë studente e ndjera, deri në qendër të Pejës, duke mbajtur në duar pankarta me mesazhet kundër përdorimit të armëve nëpër festa.  “O ti që me armë gjuajte. Plumbi yt vrau Shpresën. Po ty a nuk të vret ndërgjegjja jote?”, ishte një nga këto pankarta.
Bleona Kastrati, motra e të ndjerës Shpresa Kastrati Fetahaj, ka thënë se në këtë vit ata po festojnë po motrën e tyre Shpresën, porse me këtë aktivitet po ua tërheqin vëmendjen të gjithëve, që rasti i tyre të mos i ndodh askujt më kurrë.
Të lënduarit nga armët dhe mjetet piroteknikë nuk kanë qenë të pakët gjatë viteve të kaluara në Pejë dhe Kosovë, prandaj protestuesit kanë bërë thirrjen duke uruar që rastet kur gëzimi i dikujt përfundon me dhimbjen e tjetrit të mos ndodhin më kurrë.