mendo globalisht,
vepro lokalisht

Debat mbi pronat në Komunën e Deçanit

13.02.2015

Deçan, 13 shkurt- Është mbajtur takimi me përfaqësues të fshatrave të Komunës së Deçanit, me të cilët është diskutuar për çështjet e pronësisë në këtë komunë, problemet që hasin banorët në lokalitete dhe mundësitë e adresimit të tyre nëpër institucionet e Kosovës. Përfaqësuesit e Gjykatës në Deçan, zyrtarët komunalë nga Kuvendi Komunal, Kadastra, administrata dhe shërbime tjera komunale, u kanë shpjeguar përfaqësuesve të fshatrave procedurat dhe ligjet ekzistuese me të cilat adresohen çështjet e pronës, si në rastin e kontesteve, ashtu dhe në procedurat jokontestimore. Vet qytetarët kanë sjellë problemet e zonave ku ata banojnë, me fokusim kryesisht në çështjet e trashëgimisë dhe bartjes së saj, pronave private dhe publike, privatizimit, uzurpimeve, aspektit gjinor në pronësi, legalizimit dhe të tjera probleme që lidhet me temën e pronësisë.
Pjesëmarrësit kanë rekomanduar gjykatave që çështjet e kontesteve dhe pronësisë t’u jepet përparësi, pasi për shqyrtimin e tyre duhet një kohë e gjatë, kanë kërkuar nga Komuna të shikojë pronat  komunale në rastet kur mund të ketë të dhëna për transformim të pronës publike, si dhe kanë kërkuar informacione lidhur me rastet që kanë të bëjnë me privatizimin.
Zyrtarët e drejtësisë dhe të shërbimeve komunale u kanë rekomanduar atyre të bartin pronësitë në emrat e tyre, aty ku është  e mundur, dhe t’u drejtohen gjykatave në rastet kur ka çfarëdo kontestimi.
Takimi është mbajtur në kuadër të projektit “Mbroje pronën tënde” që po implementon Syri i vizionit në rajonin e Pejës me financim nga USAID/ATRC.