mendo globalisht,
vepro lokalisht

Angazhim i përbashkët për ambientin në lagjen “7 shtatori”

20.09.2016 
Pejë  20 Shtator– Në Lagjen  “7 Shtatori”, organizata Syri i Vizionit ka organizuar takimin i përbashkët ndërmjet banorëve të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashakli dhe institucioneve komunale gjegjësisht Zyrës për komunitete, kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini” dhe ndërmarrjes publike për pastrim “Ambienti”, për të identifikuar problematikat me të cilat ballafaqohen banorët e këtyre komuniteteve dhe gjetjen e zgjidhjes për eliminimin e problematikave sidomos asaj me furnizim me ujë të pijshëm dhe largimin e mbeturina si dy problematika shume të mëdha  në këtë lagje.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë identifikimi dhe paraqitja e ankesave, shqetësimeve, tek institucionet komunale, siç janë Hidrodrini, Ambientit dhe Higjiena, Zyra për komunitete, drejtorët e të cilave kanë marrë pjesë.

Gjatë këtij takimi komuniteti ka pas rastin dhe mundësinë të shpalosin shqetësimet dhe ankesat e tyre dhe t’i diskutojnë me pjesëmarrësit e pranishëm të institucioneve komunale . Është biseduar dhe arritur të kërkohet një zgjidhje e problemeve të paraqitura  me të cilat komuniteti ballafaqohet çdo ditë,  dhe nga Ambienti dhe Higjiena është marre vendim pastrimi dhe largimi i mbeturinave dhe kontejnereve nga lagjja.

Pasi të bëhet pastrimi i mbeturinave aktuale nëpër lagje dhe largimi i kontejnerëve  të përbashkët, ndërmarrja Ambienti  do të gjejë mundësin e zëvendësimit të kontejnerit të përbashkët me kontejnerë individualë ose duke ju shpërndarë qese për mbeturina , ku në orar të caktuar ato do të mblidhen nga punonjësit e higjienës, për  çka edhe është kërkuar ndihmë ose mundësi ëpr të kërkuar donacione.

Duke e pa gjendje e rënde ekonomike drejtori i KRM Ambienti ka kërkuar nga banoret që të bëjnë tani e tutje pagese simbolike mujore, së paku prej 2 euro në muaj në mënyre që të mbulohen  shpenzimet e ndërmarrjes për të ardhur me orar të caktuar çdo javë për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave. Kjo do të krijonte një lagje dhe ambient të pastër për të gjithë dhe kushte me të mira për jetë.

Me propozimin e drejtorit te Ambientit janë pajtuar edhe kryefamiljaret e komuniteteve të pranishëm  në këtë takim që pasi të  bëhet pastrimi i lagjes ata do të kujdesen që më të  mos hedhen mbeturinat nëpër lagje apo nëpër vende të ndaluara.

Gjithashtu është arritur të zgjidhet problemi me ujë të pijshëm, pasi tani më është zgjidhur një problem në një pjesë të lagjes dhe banorët kanë ujë , e nga java tjetër pritet të hapen kanale dhe të bëhet vendosja e gypave të ujit dhe në pjesën tjetër të lagjes në  mënyrë që dhe shtëpitë tjera të kenë ujë të rrjedhshëm dhe të pijshëm.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit “Prospect +" që implementohet nga "Syri i Vizionit" dhe KFOS.