mendo globalisht,
vepro lokalisht

Kryetari Ardian Gjini zotohet për qeverisje bashkë me fëmijët në Gjakovë

29.05.2018

Gjakovë, 28 maj 2018 - Me moton “Çdo ditë është 1 Qershori”, organizata  Syri i Vizionit në partneritet me Save the Childen zyra në Kosovë dhe grupin monitorues të fëmijëve ROR (Respect Our Rights) , sot kanë organizuar një debat publik i fëmijëve më Kryetarin e komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini
Në këtë debat fëmijët kanë kërkuar më shumë angazhim të kryetarit të komunës në krijimin e hapësirave rekreative për ta, në ndërtimin e terreneve sportive në shkolla dhe jashtë tyre, në krijimin e lehtësirave për shkollim dhe transport për fëmijët familjet e të cilëve janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe në parandalimin e braktisjes së shkollimit të fëmijëve nga komunitet rom, egjiptian dhe ashkali.
Pjesë e rëndësishme e debatit ka qenë edhe dhuna që ushtrohet ndaj fëmijëve në shkollë dhe familje, ku fëmijët kanë kërkuar ndihmën e kryetarit që ai personalisht dhe institucionet përgjegjëse të angazhohen që fëmijët të jenë të mbrojtur nga dhuna në shkollë dhe të sigurohen psikolog për shkolla.
Në anën tjetër kryetari Gjini, i ka siguruar fëmijët që komuna është duke u angazhuar dhe do të angazhohet të bëjë shumë më shumë më fëmijë, sepse, sipas tij, kur investon duke i dëgjuar fëmijët atëherë kemi investuar si duhet dhe në të mirën e fëmijëve e në të mirën e shoqërisë “Kur marrim mendimin e fëmijëve atëherë gjërat i shohim prej një këndi më të mirë dhe me praktik, jo siç ne i planifikojmë dhe i mendojmë si institucione apo si të rritur, dhe kjo i ka dy të mira kur marrim mendimin tuaj, e para fuqizohet roli, pozita dhe personaliteti juaj i të menduarit dhe të vepruarit në shoqëri dhe investimet janë pjesë e ideve dhe nevojave tuaja”, është shprehur Gjini, duke u zotuar që ai dhe komuna do të bëjnë shumë më shumë në praktikë jo vetëm deklarime dhe dokumente siç jemi mësuar të dëgjojmë dhe të hartojmë.
Lidhur me sigurinë në shkolla me theks të veçantë mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna sidomos në shkolla, kryetari Gjini, ka kërkuar nga fëmijët që t’i denoncojnë rastet e dhunës dhe është zotuar se ai personalisht si kryetar i komunës do të përcjell këtë gjë dhe asnjë mësimdhënës nuk do të lejojë të ushtrojë çfarëdolloj dhune ndaj tyre “Nëse unë marr vesh që një mësimdhënës ushtron dhunë, çfarëdo qoftë ajo ndaj juve dhe fëmijëve tjerë, ai nuk do të punojë më në shkollë, dhe ju e keni për obligim t’i denonconi rastet duke na njoftuar neve”, është zotuar kryetari Gjini para fëmijëve.
Në fund të debatit Kryetari Gjini, ju ka premtuar fëmijëve se të gjitha pyetjet dhe kërkesat e tyre të dala nga ky debati i ka mbajt shënim dhe do të i ndaj dhe diskutojë me secilin drejtor përkatës.
Në këtë debat publik me kryetarin e komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, të pranishëm ishin edhe institucioni i Avokatit të popullit zyra në Gjakovë, Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Kosovës.
Aktivitet e javës së shënimit të 1 qershorit “Çdo ditë është 1 Qershori”, do të vazhdojnë në komunat tjera të Kosovës.
Shënimi i kësaj jave bëhet në kuadër të projektit “Detyrimi ynë për të Ardhmen – Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili implementohet nga organizata Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children në Kosovë.