mendo globalisht,
vepro lokalisht

Projektet në vitin 1999

Në muajt e parë të pasluftës, gjithçka filloi si një iniciativë e krijuar nga një grup rinor, që edhe pse nuk kishte përvojë në organizime, kishte një vullnet dhe besonte se mund të bënte diçka për vendin në ditët e para të çlirimit. Ishte periudha kur ende po vazhdonte kthimi i refugjatëve në Pejën e djegur nga lufta, kur mungonin çdo lloj organizmi, kur nuk kishte polici dhe rendi e qetësia mbahej nga ushtarët e KFOR-it. Në këtë kohë kur nuk kishte institucione komunale, e as struktura tjera përveç misionit ndërkombëtar UNMIK, instalimi i të cilit zgjaste deri në vitin 2000, një grup nismëtar fillimisht prej 4-5 vetash, nisën idenë e një lloj organizimi që do mobilizonte energjitë rinore dhe vullnetin e ditëve të para të lirisë në Kosovë, për të kontribuar për shoqërinë dhe komunitetin. Nuk kishte shumë ide dhe koncepti i veprimit nuk ishte i qartë, por kishte një vullnet për mobilizim vullnetar në shërbim të komunitetit.

Mungesa e mobilizimit, angazhimit qytetar dhe punës vullnetare, mungesa e informatave, dhe mungesa e aksionit në emër të komunitetit të gjerë dhe të ngushtë të qytetarëve, ishin ato që janë vërejtur si nevoja në të cilat do mund dhe do duhej orientuar angazhimi i të rinjve. Këto do të bëhen edhe sektorët në të cilët do të angazhohet organizata në vitet në vazhdim deri në vitet e sotme.

Në fund të vitit 1999, grupi ishte rritur deri në 20 vetë të moshës rinore dhe në takimet që zhvillonte profilizonte vijat e aktiviteteve që do të bëheshin në të ardhmen. Duke parë se informimi, vetëdijesimi dhe angazhimi qytetar janë sektorët ku mund të bëhej diçka tek këta të rinj lindi ideja që në radhë të parë të jetë një revistë rinore aktiviteti i parë i cili do t’i angazhonte ata. Në këto takime u krijua struktura e revistës së ardhshme rinore që u titullua “Vizioni” që paraqiste vizonin e një rinie që më parë nuk i ishte dhënë mundësia të angazhohej, por që tashmë kishte një vizon për rolin e saj dhe shoqërisë në të cilën jeton. “Vizioni” në këtë kohë u bë edhe emër për këtë grup të të rinjve në qytetin e Pejës. Gjatë diskutimit për revistën, u ndanë grupet që mendohej se do të realizojnë rubrikat e kësaj reviste. Dhjetë vjet më vonë këto rubrika të revistës, tashmë janë shndërruar në sektorë dhe projekte që zbatohen nga staf i profesionalizuar i organizatës dhe në bashkëpunim me organizata të fuqishme dhe donatorë të rëndësishëm në rajon.

Deri në fund të vitit ky grup kishte përpunuar idenë e aktivizimit të tyre, kishte krijuar kontaktet e para me profesionistët në komunën e Pejës dhe me organizatat e para që filluan të veprojnë në Kosovë. Në këto takime u panë mundësitë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët në projektet që do realizohen më vonë. Këto kontakte në periudhën e mëpastajme u treguan të rëndësishme për organizatën, për krijimin e strukturës së saj dhe për projektet që e ndikuan në forcimin e organizatës. Viti 1999 në Kosovë ishte koha kur nuk kishte televizione, kishte disa gazeta që sapo po krijoheshin dhe nuk shpërndaheshin mirë, në Pejë nuk kishte as telefoni fikse, e as mobile, nuk kishte internet dhe kishe fare pak komunikim me botën.