mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbahet tryeza për përfshirjen e femrave në mekanizmat për ndërtimin e paqes

13.03.2013

Pejë 13 mars- Organizata Joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbledhur në një tryezë të përbashkët gratë liderë nga sektorë të ndryshëm të jetës në qytetin e Pejës, për të analizuar situatën e femrës dhe gatishmërinë e tyre për t’u kyçur në mekanizmat ekzistuese që funksionojnë në komunën e Pejës.
Në këtë tryezë është thënë se sa i përket anës legjislative ekzistojnë ligje, udhëzime dhe strategji që garantojnë pjesëmarrjen e femrës në vendimmarrje dhe mbrojnë të drejtat e tyre, por prapë se prapë të gjitha këto mekanizma ligjore kanë mbetur vetëm në letër dhe së shumë pak po zbatohen, gjë që po ndikon që femra të mos ketë rol të fuqishëm në vendimmarrje.
Gjithashtu është vlerësuar së në komunën e Pejës, ka një përmirësim të dukshëm sa i përket pjesëmarrjes së femrave në vendimmarrje mirëpo, prapë se prapë duhet bërë edhe më shumë që femrave tu jepen pozitat që meritojnë në shoqëri dhe të trajtohet e barabartë  me meshkujt.
Në fund të tryezës kanë dalë rekomandime të shumta të cilat do të ju adresohen institucioneve komunale, që komunat të bëjnë gruan faktor të rëndësishëm në hartim të strategjive zhvillimore, në fushën e  ekonomisë, shëndetësisë, arsimit etj.

Tryeza “Gatishmëria e femrave në përfshirjen e tyre në mekanizmat ekzistuese mbi ndërtimin e paqes” është pjesë e programit që po realizohet në disa komuna të Kosovës nga organizatat ndërkombëtare UN Women, EU-së dhe UNDP-së në partneritet me organizatat joqeveritare vendore. Projekti ka për qëllim ngritjen e participimit të gruas gjatë proceseve të ndërtimit të paqes dhe të planifikimit pas konflikteve.