mendo globalisht,
vepro lokalisht

Ka filluar të implementohet projekti rajonal kushtuar lumit Drin

22.01.2014

Ka filluar të implementohet projekti i Ditës së Drinit

Nga fundi i vitit të kaluar në Kosovë dhe rajon ka filluar të zbatohet një projekt që lidhet me emrin e lumit Drin dhe i kushtohet zonës dhe njerëzve që jetojnë në zonat përgjatë këtij lumi dhe degëve të tij. Aktivitete e projektit lidhen me organizmin e Ditës së Drinit, që do të bëhet në periudhën verë vjeshtë 2014 dhe me të cilën synon të rritet mirëkuptimi për vlerën e kësaj pasurie natyrore për njerëzit dhe ekosistemet. Shoqëria civile si dhe qeveritë lokale e nacionale të Bregut të Drinit duhet të ndërtojnë një marrëdhënie emocionale dhe të respektueshme për lumin e tyre. Një varg i gjerë i aktiviteteve, si ngjarje kulturore e sportive, edukuese dhe zbavitëse si dhe përfshirje e artistëve e personaliteteve të përkushtuara ndaj Drinit do të mund të frymëzonin publikun të jetë aktivë për Drinin në jetët e tyre të përditshme.
Fëmijët, nxënësit e shkollave, fëmijët e fshatrave, institucionet dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, e posaçërisht të komunave ku kalon Drini i Bardhë do të përfshihen në aktivitetet e projektit në këtë fazë. Këto aktivitete kanë për qëllim të krijojnë një rrjet të gjerë akterësh aktivë në të gjitha sektorët qeveritarë,  joqeveritarë dhe të shoqërisë.

Nën koordinimin e organizatës Syri i Vizionit, aktivitetet do të organizohen nga shtatë organizata joqeveritare: Porta perëndimore, Marimangat e Pejës, Let’s do it Kosovo, Era, Rugova experience,  Shoqata e peshkatarëve në bashkëpunim me komunat dhe tri universitete. Këto aktivitete do të përfshijnë zyrtarët komunalë nga dhjetë (10) komuna të Kosovës ku kalon Drini ose degët e tij, artistë dhe sportistë, shkencëtarë, ambientalistë, nxënës, studentë dhe anëtarë të komunitetit në zonat përgjatë rrjedhës së lumit, me qëllimin për të krijuar një rrjet të gjerë të mbrojtjes dhe aktivistëve të ruajtjes së mjedisit, por edhe të ndikojë në institucionet vendore përgjegjëse për hartimin e politikave dhe legjislacionit adekuat.
Më financim nga GIZ-i gjerman, Dita e Drinit zhvillohet me aktivitete ndërkufitare rajonale jo vetëm në Kosovë, por edhe Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, vende që i përmbledh pellgu i Drinit. Në kuadër të projektit është krijuar edhe ueb faqja që i mbledh miqtë e Drinit në Facebook: https://www.facebook.com/DriniFriends.