mendo globalisht,
vepro lokalisht

Projekti SEED për zhvillimin e edukimit dhe punësimit në rajon

28.02.2014

Prej janarit të vitit 2014 ka filluar të impementohet një projekt lidhur me arsimin profesional në rajonin jugperëndimore të Kosovës. Programi SEED (Support of Educational and Employment Development in Albania, Kosovo and Serbia)
 i mbështetur nga ADA realizohet në tri shtete: në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi dhe ka për qellim që të përmirësojë qasjen e të rinjve dhe femrave në tregun e punës si dhe të kontribuojë në barazinë gjinore duke mbështetur zhvillimet pozitive sociale-ekonomike. Programi tre vjeçar në Kosovë realizohet nga organizata “Syri i Vizionit” në bashkëpunim me Solidar Suisse dhe fokusohet në krijimin e bashkëpunimit mes shkollave të mesme profesionale në Pejë, Gjakovë dhe Prizren- drejtimi i Turizmit dhe Hotelerisë me bizneset aktive në këto komuna. Gjithashtu do të nxitë krijimin e mundësisë që nxënësit që vijojnë këto drejtime të përfundojnë praktikat e parapara në kurrikulum, në bizneset e atyre komunave.
Për të arritur këtë, Syri i Vizionit ka paraparë të zhvillojë këto aktivitet brenda tri viteve:
1.    Krijimi i grupit të akterëve dhe organizimi i punëtorive
Në të tri komunat Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ku është paraparë realizimi i projektit, do të kontaktohet me institucionet arsimore si drejtorinë e arsimit, shkollën e mesme ekonomike, drejtorinë e zhvillimit ekonomik, zyrat e turistëve, përfaqësues të bizneseve, operatorë turistikë, agjencione turistike, hoteleri si dhe akterë tjerë që të jenë pjesë e grupit të akterëve, i cili ka përgjegjësinë e krijimit të bashkëpunimit mes bizneseve dhe arsimit, analizimin e sektorit, krijimin e listës së prioriteteve në sektor, strategjinë intervenuese, si dhe pjesëmarrjen aktive gjatë realizimit të projektit.
2.    Mbështetje me grande
Nga strategjia intervenuese e krijuar nga grupi i akterëve do të bëhet edhe thirrja për aplikim në grante. Shuma e planifikuar për të asistuar në lehtësimin e zgjedhjeve të problemeve të parapara nga aktorët, si dhe në lehtësimet në krijimin e sistemit të kryerjes së praktikave të nxënësve të drejtimit hoteleri dhe turizëm në bizneset aktuale në komunat ku vepron projekti, është 78 000 euro. Aplikimi për grande do të publikohet në media që t’u mundësojë informimin e të gjithë të interesuarve të aplikojnë. Qëllimet dhe kriteret që aplikuesit do t’i përmbahen do të realizohen në bashkëpunim me grupin koordinues duke u bazuar në strategjinë intervenuese. 
3.    Studimi mbi barrierat gjinore në sektorin e turizmit dhe hotelerisë
Nga mbledhja e informacioneve dhe problemeve të sektorit për shkrimin e projektit vërehet se një përqindje shumë e ulët e femrave regjistrohen në shkollat e mesme profesionale në drejtimin e turizmit. Vetëm 5% e nxënësve në shkollat e turizmit janë femra, edhe pse profesioni i turizmit nuk do duhej të jetë i dominuar nga meshkujt. Sektori i turizmit ka potencial për të ofruar vende pune të mirë,  veçanërisht për femrat. Studimi duhet të vlerësojë arsyet për shkallën e ulët të nxënësve femra në shkollat e turizmit dhe shkallën e ulët të punësimit të femrave në sektorin e turizmit. Rezultatet e studimit do të integrohen në analizën e përbashkët të problemit në sektor. Studimi do të kryhet nga eksperti i bazuar në ToR të hartuar nga ekspertët ndërkombëtar të Solidar Suisse dhe Volkshilfe.
4.    Vizitat Studimore dhe Trajnimet
Në program është paraparë që të kemi një vizitë studimore në Austri, ku grupi i përfitueseve do të ketë rastin të njihet me formën e bashkëpunimit të shkollave profesionale drejtimi i turizmit me bizneset. Gjithashtu do të organizohen trajnime në avokim, barazi gjinore etj.