mendo globalisht,
vepro lokalisht

Punëtori për Kodin e mirësjelljes në shkollën “Ismail Qemali”

07.05.2014

Prishtinë, 06 Maj- Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në kuadër të projektit “Together 4 children rigts- Child Protection”, mbështetur nga Save the Children, ka mbajtur punëtorinë me këshillin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë për hartimin e kodit të mirësjelljes.

Hartimi i Kodit të mirësjelljes për këtë shkollë është cilësuar nga këshilli drejtues  si diçka shumë e nevojshme për shkollën e tyre për të krijuar edhe një mekanizëm shtesë në vendosje të rregullit brenda shkollës dhe respektim të të drejtave të fëmijëve, si dhe do t’i fuqizojë edhe dokumentet tjera që ka shkolla. Po ashtu këshilli drejtues ka çmuar shumë punën që është duke bërë OJQ Syri i Vizionit dhe Save the Children.

Përveç, kodit të mirësjelljes për këtë shkollë dhe shkollat tjera, do të mbahen edhe punëtori për fuqizimin e mekanizmave për të drejtat e fëmijëve, gjithashtu do të mbahen trajnime me nxënës, në tema të ndryshme ku do të jenë pjesëmarrës edhe këshilli i shkollës (mësimdhënës, këshilli prindërve dhe këshilli i nxënësve) duke ndikuar në vetëdijesimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe vetë prindërve mbi të drejtat e fëmijëve dhe adresimin e dhunës në mekanizmat ekzistues për të drejtat e fëmijëve.

Projekti “Together 4 children rigts- Child protection” ka për qëllim zhvillimin e një sistemi për monitorimin dhe raportimin e dhunës ndaj fëmijëve, duke krijuar politika të favorshme për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë që janë në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardeve të BE-së.

Ky projekt po implementohet në dhjetë shkolla fillore dhe të mesme te ulëta  në pesë komuna të Kosovës: në Prishtinë “Naim Frasheri” dhe “Ismail Qemali”; në Pejë “Ramiz Sadiku” dhe “Xhemail Kada”; në Gjakovë “Mustafa Bakia” dhe “Zekeria Rexha”; në Ferizaj “Tefik Çanga” dhe “Jeronim De Rada”, dhe në Mitrovicë në shkollat “Bedri Gjina” dhe Andon Zako Çajupi”. Përfituesit të këtij projekti janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.