mendo globalisht,
vepro lokalisht

Diskutohet Protokolli për parandalimin dhe referimin e dhunës në shkolla

07.10.2014

Ferizaj, 03 Tetor - Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” vazhdon mbajtjen e punëtorive me këshillat e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta për Protokollin për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar. Për t’u njohur me këtë protokoll është mbajtur një takim pune këshillin drejtues të shkollës fillore dhe të mesme të ulëta “Tefik Çanga” në Ferizaj.
Përfaqësues nga  këshilli drejtues i kësaj shkollë e kanë mirëpritur protokollin dhe kanë kërkuar që ky dokument të zbatohet dhe të mos mbetet vetëm në sirtarët e qeverisë dhe komunave, madje edhe të vetë shkollave. Ata, janë zotuar që do të kërkojnë përgjegjësi prej të gjitha institucioneve që i obligon ky protokoll për të parandaluar dhunën në shkolla duke krijuar kështu një ambient shumë më human dhe më të sigurt për fëmijët që vijojnë mësimin në këtë shkollë dhe shkollat tjera në komunën e Ferizajt.

Protokolli përcakton detyrimet, qartëson rolet dhe procedurat e institucioneve për parandalimin, identifikimin, mbledhjen e të dhënave, referimin, trajtimin, raportimin e dhunës ndaj fëmijëve në institucionet e arsimit para-universitar. Sipas pjesëmarrësve, ai po ashtu përforcon bashkëpunimin ndërinstitucional dhe multidisiplinar për të mbrojtur të drejtat e fëmijës dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna në institucionet para-universitare.
Trajnimi me këshillin drejtues të kësaj shkolle është mbajtur në kuadër të programit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve (Together 4 children rigts- Child Protection)”, në partneritet me organizatën Save the Children. Projekti ka qëllim zhvillimin e një sistemi për monitorimin dhe raportimin e dhunës ndaj fëmijëve, duke krijuar politika të favorshme për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë që janë në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardeve të BE-së.

Ky projekt po implementohet në dhjetë shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në pesë komuna të Kosovës: në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Mitrovicë. Përfituesit të këtij projekti janë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.