mendo globalisht,
vepro lokalisht

Veprim i përbashkët i institucioneve për sigurinë e fëmijëve në shkolla

09.10.2014

Pejë, 08 Tetor- Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” ka mbajtur një takim pune me institucionet lokale për të drejtat e fëmijëve lidhur me rritjen e sigurisë së fëmijëve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në komunën e Pejës.
Në këtë takim pune është diskutuar mbi shqetësimet e dala nga vetë fëmijët, siç është bartja e armëve të ftohta dhe armëve të zjarrit në shkolla nga ana e fëmijëve (nxënësve), si dhe rritja e sigurisë nga rreziku që po ju kanoset fëmijëve nga prania shumë e madhe e qenve endacakë.
Përfaqësuesit e institucioneve në këtë takim janë pajtuar se duhet punohet shumë më shumë në rritjen e sigurisë së fëmijëve nga këto dukuri, si dhe nga dukuritë e tjera, që rrezikojnë shëndetin dhe jetën e fëmijëve. Madje ato janë pajtuar se duhet të ketë bashkëpunim dhe veprimit të përbashkët shumë më i madh ndërmjet institucioneve.
Të pranishmit po ashtu kanë thënë se edhe prindërit duhet të jenë më aktiv dhe të punojnë më shumë më fëmijët e tyre gjë qe do të ndikonte në parandalimin e bartjes së armëve të ftohta dhe atyre të zjarrit nga ana e fëmijëve te tyre në shkolla.
Gjithashtu është sugjeruar që kryetari i komunës së bashku me drejtoritë përkatëse të ndërmerr masa urgjente në largimin e qeneve endacak që po rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe që janë shndërruar në një shqetësim tepër të madh për të gjithë qytetarët e komunës së Pejës jo vetëm për fëmijët.
Të pranishmit në këtë takim janë zotuar së do të rrisin koordinimin e veprimit të përbashkët dhe kanë falënderuar organizatën Syri i Vizionit dhe Save the Children që po ju ofron ndihmë në hartimin e një plani të përbashkët veprimi.
Nga ky takim është hartuar edhe një letër rekomanduese që do t’i adresohet kryetarit të komunës, Drejtorisë së Arsimit dhe drejtorive tjera përkatëse. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues nga Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, Shërbimi Sprovues, koordinatori për të drejtat e fëmijëve, gjykatësja për të mitur, Institucioni i Avokatit të Popullit si dhe mediat, ndërsa kanë munguar përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Takime të tilla do të mbahen edhe në komat tjera ku është duke u implementuar projekti, në Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjakovë.