mendo globalisht,
vepro lokalisht

Komunikatë për media: U hap "Java kundër dhunës ndaj fëmijëve"

18.10.2014
Komunikatë për media

Java kundër dhunës ndaj fëmijëve

Organizata joqeveritare Syri i Vizionit nga Peja në partneritet me organizatën Save the Children, të dielën kanë filluar “Javën kundër dhunës ndaj fëmijëve”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe koordinimin e institucioneve, prindërve dhe gjithë shoqërisë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe përmirësimin e situatës së tyre në Kosovë.
Në një konferencë për media të mbajtur të dielën në Prishtinë, përfaqësues të organizatës Syri i Vizionit kanë shënuar fillimin e aktiviteteve që për një javë do të tërheqin vëmendjen për dhunën ndaj fëmijëve dhe angazhimin për zvogëlimin e saj në shoqërinë kosovare.
Naser Lajçi, menaxher i projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë se fushata ka për qëllim të tërheq vëmendjen e institucioneve kosovare për nevojat e angazhimit më të madh për parandalimin e dhunës tek fëmijët, duke kërkuar edhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe funksionalizim të mekanizmave ekzistues që ofrojnë ligjet kosovare për mbrojtjen e fëmijëve.
Aktivitet zhvillohen nga data  19 deri 25 tetor 2014, ndërsa  në këto aktivitete do marrin pjesë qindra nxënës të shkollave të Kosovës, mësimdhënës dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në nivel lokal e qendror. Në kuadër të “Javës kundër dhunës ndaj fëmijëve” do të ketë vizita në institucionet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, debate mes akterëve në nivel lokal dhe konferencë për trajtimin e gjendjes në këtë sektor, si dhe aktivitete që do mobilizojnë nxënësit në dhjetë shkolla për trajtimin temës së mbrojtjes nga dhuna. 
Java kundër dhunës organizohet në kuadër të projektit “Së bashku për të drejtat e fëmijëve”, implementuar nga OJQ Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children në disa komuna të Kosovës. 

Prishtinë, 19 tetor 2014

OJQ “Syri i Vizionit”

Për më shumë informacion:
Naser Lajqi, projekt menaxher
Tel: 044 695 650
e-mail: [email protected]
www.syriivizionit.org