mendo globalisht,
vepro lokalisht

Gjakovarët kërkojnë ligj të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

24.11.2014

Të pranishmit në këtë tryezë, kanë kërkuar që Kosova, duhet të ketë ligj bazik për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve pasi që tani për tani shumë ligje merren me mbrojtjen e fëmijëve në nene të caktuara por siç duket ato nuk po tregojnë efekt në përmirësimin e pozitës së fëmijëve e sidomos në mbrojtjen e tyre dhe respektimin e të drejtave që ju takojnë më kushtetutën e vendit dhe me konventën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.
Po ashtu, ata kanë kërkuar që të shikohet mundësia e plotësimit të ligjit mbi arsimin para-universitarë ku parashihet ndëshkimi i prindërve të cilët i ndalojnë fëmijët nga shkolla, ku duhet ketë ndëshkime tepër të rrepta ndaj tyre pasi që dita ditës në këtë komunë po rritet braktisja e shkollimit jo vetëm nga fëmijët e komunitetit rom, egjiptian dhe ashkali por edhe të atij shqiptar.

Madje, ata kanë qenë vetë kritikë dukë thënë se secili institucion duhet të jetë më i përgjegjshëm në punën e tij dhe me përgjegjësi t’i kryejë obligimet që i përcaktohen me ligj dhe aktet tjera nënligjore.
Edhe në këtë tryezë është vlerësuar së shkollat kanë nevojë shumë për praninë e psikologëve dhe pedagogëve, gjë qe do të ndikonte në trajtimin e fëmijëve me sjellje asociale, në uljen e rasteve të dhunës dhe dukurive tjera që shfaqen çdo ditë në shkolla.
Në fund të tryezës janë nxjerrë rekomandime që kanë të bëjnë me nevojat e plotësim-ndryshimit të disa ligjeve, si dhe nevoja për nxjerrjen e ligjit të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të institucioneve në komunën e Gjakovës, që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat locale, tryeza të tilla do të mbahen edhe në katër komunat tjera si në Mitrovicë, Ferizaj dhe Prishtinë.