mendo globalisht,
vepro lokalisht

Shkolla ekonomike me bizneset e turizmit përmirësojnë bashkëpunimin për praktikën profesionale

05.12.2014
Pejë, 05 dhjetor- Përfaqësues të bizneseve të hotelerisë dhe turizmit në zonën e Rugovës bashkë me mësimdhënësit e Shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë kanë diskutuar për çështjet e shkollimit për hoteleri e turizëm në komunën e Pejës dhe mundësitë e zbatimit të praktikës profesionale nga nxënësit e kësaj shkolle në bizneset përkatëse. Zhvillimi i turizmit kërkon kuadrin e duhur profesional, i cili duhet krijuar me shkollimin përkatës dhe duke ndjekur praktikat direkt në sektorin privat të biznesit. Edhe bizneset e zonës që kryesisht janë të ndërtuara si ekonomi familjare, kanë nevojë që të aftësojnë kuadrin dhe kjo është mundësi tjetër bashkëpunim mes biznesit dhe shkollës.
Takimet mes biznesit dhe shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri” me përfaqësuesit e biznesit nga zona e Rugovës janë vazhdimësi e takimeve të zhvilluara gjatë këtij viti në kuadër të projektit “Mismatch” që financohet nga Solidar Suisse dhe ka për qëllim përshtatjen e shkollave me tregun e punës dhe përgatitjen sa më të mirë të nxënësve sipas nevojave që ka tregu i punës. Në kuadër të takimit në Rugovë janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi mes shkollës dhe ndërmarrjeve për bashkëpunim në kryerjen e praktikës për nxënësit e kësaj shkolle.