mendo globalisht,
vepro lokalisht

Komunikatë për media: Kosova ka nevojë për Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

18.12.2014

Komunikatë për media

Kosova ka nevojë për Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

Prishtinë, 18 dhjetor- Organizata joqeveritare Syri i Vizionit nga Peja në partneritet me organizatën Save the Children, të enjten kanë mbajtur konferencën e përbashkët me institucionet që kanë për mandat mbrojtjen e fëmijëve dhe përmirësimin e situatës së fëmijëve në Kosovë.

Në këtë konferencë është bërë  prezantimi i analizës së situatës së fëmijëve dhe rekomandimet e dala nga komunat në aspektin legjislativ dhe nevojat e Kosovës për ndryshimin apo hartimin e  ligjeve shtesë në mbrojtjen e fëmijëve dhe përmirësimin e situatës së tyre në vendin tonë.

Të pranishmit në këtë konferencë janë pajtuar se ka ngecje të zbatimit të ligjeve sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë, dhe ka mungesë të koordinimit dhe të komunikimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve. Kjo gjë, sipas tyre, po ndikon që të kemi rritje të dhunës ndaj fëmijëve, sidomos dhunës në shkolla, por edhe përfshirjen e fëmijëve në vepra penale për të mitur, e gjithashtu edhe të jenë viktima të dukurive të ndryshme.

Po ashtu, është kërkuar që të bëhet plotësim ndryshimi i disa ligjeve, siç është Ligji për maturën shtetërore ku fëmijët që nuk kalojnë 50% të testit të maturës humbin të drejtën për t’u pajisur më diplomë të shkollës së mesme, të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për asistencën sociale, sidomos kriteri ku familja kushtëzohet të ketë një fëmijë nën moshën pesë vjeçare. Të pranishmit në këtë konferencë kanë kërkuar ndryshimin e Kodit penal për të mitur, ku mosha e përgjegjësisë penale për të mitur të ulët në 12 vjeç, e jo siç është tani 14 vjeç, po ashtu kanë sugjeruar që për veprat e fëmijëve të ndëshkohet prindi.

Gjithashtu është kërkuar që Kosova të ketë sa më shpejt një ligj specifik për fëmijë, siç është Ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ku në këtë ligj të futet edhe ndalimi i ndëshkimi trupor për fëmijë.

Në fund të konferencës kanë dal edhe rekomandime shtesë, të cilat do t’i adresohen Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së Kryeministrit.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin institucionet përgjegjëse që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare për të drejtat  fëmijëve dhe mediat. Kjo konferencë organizohet në kuadër të programit “Së bashku për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, të implementuar nga organizata Syri i Vizionit në partneritet  me Save the Children.

Për më shumë informacion:
Naser Lajqi, projekt menaxher
Tel: 044 695 650
e-mail: [email protected]
wwww.syriivizionit.org