mendo globalisht,
vepro lokalisht

Qytetaria Aktive, Sfidë për Qeverinë dhe Komunat

23.12.2014

Komunikatë për media
Qytetaria Aktive, Sfidë për Qeverinë dhe Komunat

Prishtinë, 23 Dhjetor 2014
Organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” nga Peja të martën në Prishtinë ka mbajtur konferencën me temën “Qytetaria Aktive” ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga komunat e rrafshit të Dukagjinit, Gratë Asamblesite, Asociacioni i Komunave të Kosovës, shoqëria civile dhe përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve të komunave të regjionit të Pejës dhe Prizrenit.
Aktivizimi i qytetareve, pjesëmarrja e gruas në proceset vendimmarrëse dhe adresimi i problematikave tek institucionet në nivel lokal dhe qendror, mbetet një sfidë për institucionet në nivel lokal dhe atë qendror, është thënë nga pjesëmarrësit në këtë konferencë.

Shqipe Arifaj, nga  Asociacioni i komunave të Kosovës ka thënë se “Ekzistojnë ligje, udhëzime të ndryshme administrative dhe rregullore komunale që fuqizojnë rolin e qytetarëve dhe e bëjnë atë të fuqishëm ndaj institucioneve, mirëpo është përgjegjësi e komunave që këto akte ligjore t’i zbatojnë. Kjo sidomos sa u përket rregulloreve komunale për bashkëpunim të komunave me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane".

Ndërkohë, zyrtarët komunalë të pranishëm në këtë takim janë shprehur të shqetësuar se nuk do të mund të zbatojnë rregulloret për bashkëpunim të komunës me fshatra, vendbanime  dhe lagjeve urbane, pasi që duhet që këtyre personave t’u bëhet një lloj pagese apo stimulimi për angazhimin e tyre që të jenë aktivë, kurse buxheti komunal ua pamundëson këtë gjë.
ata kanë sygjeruar qe Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e MAPL-së duhet apo është dashur që para se me nxjerr një udhëzim të tillë dhe para se të obligojnë komunat për hartimin e rregulloreve, të mendojnë mënyrën e pagesës, sepse pa paguar apo pa i stimuluar, ata nuk do të jenë funksionalë".

Kryetarët e disa fshatrave të komunave të rrafshit të Dukagjinit kanë thënë se kërkojnë kompensim për punën që bëjnë. “Jemi lodhur që sa vjet bëjmë punë vullnetare dhe shpenzojmë nga xhepat tonë vetëm për të përmirësuar jetën në ato vendbanime ku jetojmë, por tani e tutje pa ndonjë pagesë nuk do të mund japim kontribut. Edhe pse kemi dëshirë dhe vullnet, gjendja e vështirë ekonomike na pamundëson këtë gjë”, është shprehur Jahë Mulliqi, kryetar i këshillit lokal në fshatin Raushiq, komuna e Pejës.
Në anën tjetër, gratë asambliste të komunave të regjionit të Pejës dhe Prizrenit, janë shprehur të pakënaqura më përfaqësimin e tyre ne në nivel lokal dhe qendrore sa i përket pozitave kyçe, madje sipas tyre grave nuk ju ofrohet mundësia dhe hapësira për ta dëshmuar veten në pozita dhe dikastere më rendësi të veçantë në Komunat e tyre, por edhe në nivel qendrorë. Ato, shpesh kanë marrë shembuj komunat e tyre ku numri i femrave si drejtorë të dikastereve të ndryshme është shumë i vogël, madje edhe në nivel shtetërore është pothuajse e njëjta situatë.
 
Në këtë konferencë është publikuar edhe puna një vjeçare e organizatës “Syri i Vizionit” që është duke bërë në fuqizimin e qytetarisë aktive, projekt ky i mbështetur nga Olof Palme International Center dhe SIDA.

Me respekt,
OJQ “Syri i Vizionit”
Tel.+377(0)44 695 650
Email: [email protected]
www.syriivizioint.org