mendo globalisht,
vepro lokalisht

Themelohet Asambleja e fëmijëve në Mitrovicë

03.06.2015

01 qershor- Në kuadër të Ditës ndërkombëtare të fëmijëve, organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në partneritet më Save the Children dhe në bashkëpunim më Drejtorinë e Administratës, gjegjësisht koordinatorin për të drejtat e njeriut në kuadër të kësaj drejtorie, kanë themeluar Asamblenë e fëmijëve në Mitrovicë.

Të pranishëm në këtë seancë themeluese të asamblesë përpos fëmijëve asamblistë të emëruar nga shkollat fillore dhe të mesme të ulëta të kësaj komune ishin edhe kryetari i komunës Agim Bahtiri, kryesuesi i asamblesë komunale Bislim Imeri, drejtori i administratës Avdulla Bejtullahu, drejtoresha e Arsimit Ajmane Barani, koordinatori për të drejtat e njeriut Fitim Rama si dhe drejtorë të disa shkollave.

Kryetari i komunës përpos që ka përgëzuar punën qe po bëjnë Syri i Vizionit dhe Save the Children, ka inkurajuar fëmijët që t’i paraqesin të gjitha shqetësimet e tyre dhe është zotuar se komuna e Mitrovicës dhe ai si kryetar do t’i mbështes ata në çdo kohë.  “Komuna dhe hapësirat e komunës gjithmonë do të jenë në dispozicionin tuaj, qofte për organizim të takimeve, parashtrim të ankesave dhe shqetësimeve qe ju keni, çdo herë do të jemi pranë jush” ka thënë ai.

Po ashtu edhe kryesuesi i asamblesë komunale dhe drejtori i administratës dhe ai i arsimit janë zotuar se do të mbështesin asamblenë e fëmijëve në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ta sidomos në respektimin e të drejtave të tyre dhe pozitës së tyre në shoqëri. Po ashtu ata kanë porositur fëmijët, që krahas të drejtave që u takojnë t’u qëndrojnë besnik edhe përgjegjësive dhe obligimeve që kanë pasi që krahas të drejtave janë edhe obligimet dhe përgjegjësitë.

Ndërkaq, në këtë seance të themelimit të asamblesë është zgjedhur edhe kryetari i asamblesë, më votim të hapur është zgjedhur Irfan Peci nxënësi i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Shaban Idrizi”. Kryetari i sapo zgjedhur është zotuar që ai dhe asambleja e fëmijëve në komunën e Mitrovicës do të jenë zëri i të gjithë fëmijëve, pa dallime racore, kombëtare e gjuhësore.

Në fund të takimit është përcaktuar edhe data e mbajtjes së takimit të radhës ku do të zgjedhjet edhe kryesia e asamblesë së fëmijëve dhe plani i aktiviteteve për këtë vit.