mendo globalisht,
vepro lokalisht

Kryetarët e këshillave lokale u kërkojnë komunave të investojnë njëjtë për të gjithë qytetarët e jo sipas elektoratit

20.04.2017Pejë, 20 prill- Në debatin e organizuar nga  Instituti GAP në bashkëpunim me organizatën “Syri i Vizionit’ është diskutuar me temën “Qytetaria aktive në lokalitetet e ndryshme të Kosovës”, dhe është publikuar raporti nga Instituti GAP, ku flitet për lokalitetet e ndryshme në Kosovë ku komuniteti është i organizuar në kryerjen e punëve vullnetare në interes të përgjithshëm.
Në këtë raport janë përfshirë perceptimet e qytetarëve se sa ata dinë për përfaqësuesit e tyre në vendbanimet e tyre dhe angazhimi i tyre në kryerjen e punëve vullnetarë në interes të vetë komunitetit.
Në këtë takim të pranishëm ishin disa nga kryetarët e këshillave lokalë të komunave Pejë, Deçan, Istog dhe Klinë, shoqëria civile dhe mediat, mirëpo mungonin kryetarët e këtyre komunave edhe pse ditë më parë e kishin konfirmuar pjesëmarrjen.
Kryetarët e këshillave lokal janë pajtuar se zëri i qytetarëve duhet të jetë më i fuqishem në adresimi e çështjeve që janë në interesin e përgjithshëm, mirëpo sipas tyre, edhe mos përgjegjësia e institucioneve në prioritizimin e problemeve bashkë më qytetarët ka ndikuar në zhgënjimin e tyre.
Sipas kryetarëve të këshillave lokalë dhe shoqërisë civile, pushteti lokal vazhdon qeverisjen dhe orientimin e investimeve 80% sipas elektoratit të tyre, apo në ato zona nga vijnë drejtorët, asamblestitet e asaj partie që është në pushtet, e jo sipas nevojave të qytetarëve për të pasur një shtrirje gjithëpërfshirëse në nivel komune.
Po ashtu është vlerësuar edhe puna e mirë që janë duke bërë nga vetë kryetarët e këshillave lokale edhe përkundër vështirësive që kanë me komunitetin e tyre dhe shpesh herë edhe me institucionet dhe investitorët që kryejnë punimet në vendbanimet e tyre.
Sipas tyre është rritur ndikimi i tyre ndaj institucioneve edhe pse jo aq sa do të duhej, madje kryetarët e këshillave të Pejës, kanë kërkuar nga komunat tjera që nuk kanë krijuar këto struktura të marrin shembull Pejën, për mënyrën e njoftimit, organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve për këshillat lokale.
Sa i përket stimulimit apo pagesës për kryetarët e këshillave lokalë ata kanë kërkuar që institucionet duhet të sigurojnë një pagë dinjitoze ose të mos ndajnë mjete fare, pasi sipas tyre shuma e kompensimit që ka vendos komuna e Pejës, në vlerë prej 300 eurove në vit është e pavlerë për punën, përgjegjësitë dhe obligimet që kanë kryetarët e këshillave lokale. Ky vlerësim ka ardhur nga kryetarët e këshillave lokale nga komunat tjera e më këtë vlerësim janë pajtuar edhe vetë kryetarët e këshillave lokale të Pejës, të cilët kanë njoftuar se në angazhimet e tyre më komunitetin dhe për të mirën e komuniteti shpenzojnë pesëfishin e këtij kompenzimi.
Në fund të takimit të gjitha janë pajtuar se duhet një mobilizim i përgjithshëm, kryetarë të këshillave, shoqëri civile dhe mediave për të ndikuar në fuqizimin e zerit të qytetarit karshi institucioneve por edhe në rritjen e përgjegjësisë dhe kontributit vullnetar në të mirë të komunitetit.