mendo globalisht,
vepro lokalisht

Peja dhe Shabaci këmbejnë përvojën për edukimin profesional

19.06.2018

Peja dhe Shabaci këmbejnë përvojën për edukimin profesional

Pejë- 19 qershor – Një delegacion nga qyteti i Shabacit nga Serbia i kryesuar nga kryetar Nebojsha Zelenoviq dhe kryesuesi i Kuvendit Nemanja Pajiq ka qëndruar në një vizitë dy ditore në Pejë në kuadër të projektit “Support to Education and Employment Development – SEED” që financohet nga Austrian Development Agency (ADA). 
Koha ditore ka shkruar se ky është një projekt i përbashkët në tri shtetet e rajonit Kosovë, Shqipëri dhe Serbi për të kontribuuar në punësim, zvogëlim të varfërisë dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe social në këto tri vende.
Delegacioni ka vizituar Qendrën e aftësimeve profesionale të Pejës dhe trashëgiminë kulture në fshatin Gorazhdec të Pejës ku banon komuniteti serb.
“ky projekt është me rëndësi sepse këmbejmë përvojat tona. I kam parë qendrat e aftësimit profesional  në Pejë dhe ne duhet të kemi një të ngjashme në Shabac. Ne kemi një qendër atje por kjo në Pejë është shumë praktike, sepse në një kohë të shkurtër trajnon njerëzit në pjesën praktike të profesionit” ka thënë Zelenoviq për gazetën “Koha Ditore”.
Komunat e Pejës dhe Shabacit kanë filluar të komunikojnë dhe ky është hapi i parë i bashkëpunimit, që do pasohet nga hapi i dytë kur të sjellin me vete edhe bizneset. “Nëse ndodh kjo, atëherë s’do ketë më kufij dhe kush e  di sa njerëz do të përfitojnë na kjo” tha Zelenoviq.
Besim Avdimetaj, drejtor i DKA Pejë që shoqëronte Zelenoviqin, tha ky është takimi i tretë dhe se kjo vizitë është një mundësi pozitive.
“Kjo është vizitë kthyese pasi ne kemi qenë atje dy herë vitin e kaluar në prill për të parë skemën e edukimit profesional dhe tregut të punës atje. PO shikojmë mundësinë që të vendosim bashkëpunim në fushën e bujqësisë pasi shpresojmë të marrim fidanë nga arritje dhe t’ua shpërndajmë fermerëve” tha Avdimetaj.