mendo globalisht,
vepro lokalisht

Mbledhje informuese me drejtorët e shkollave të Pejës lidhur me zbatimin e Protokollit për raportim të dhunës në shkolla

25.04.2019

24 Prill- Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children kanë mbajtur mbledhje informuese me drejtorët e shkollave për zbatimin dhe rëndësinë e Protokollit qeveritar për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet para-universitare, me theks të veçantë raportimin e rasteve në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim - SMIA.

Kjo mbledhje është mbajtur në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit, me ç’rast është kërkuar edhe njëherë nga drejtorët e shkollave që rastet e dhunës të trajtohen sipas këtij Protokolli dhe të referohen në SMIA, siç edhe janë të obliguar ta bëjnë.

Këto mbledhje informuese me drejtorët e shkollave po realizohen me qëllim të rritjes së përgjegjësisë së shkollave në trajtimin dhe raportimin e rasteve, siç kërkohet me protokoll, pasi që sipas statistikave të cilat i posedon MASHT, deri më tani, në nivel të shtetit, vetëm 12 raste janë raportuar në sistem, që janë jashtëzakonisht pak krahasuar me rastet e ndodhura dhe statistikat të cilat i posedojnë policia dhe institucionet tjera.

Mbledhje të ngjashme do të mbahen edhe në komunën e Klinës, Gjakovës, Prizrenit e Gjilanit. Ato mbahen në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”  i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children - Zyra në Kosovë.