mendo globalisht,
vepro lokalisht

Tri shkolla të Kosovës pjesë e konferencës vjetore të AEHT-së

25.11.2019

Nga data 11 deri 16 nëntor 2019 në Split të Kroacisë është mbajtur konferenca vjetore e Rrjetit Evropian të Shkollave të Hotelerisë dheTurizmit - AEHT.

Për herë të parë në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe tri shkolla profesionale nga Kosova: “Ali Hadri” nga Peja, “Kadri Kusari” nga Gjakova dhe “Ymer Prizreni” nga Prizreni.

Pjesëmarrja e shkollave nga Kosova në ketë konferencë ka qenë e rëndësisë së veçantë, pasi që drejtorët dhe profesorët nga vendi ynë kanë pasur mundësinë të shohin trendët e zhvillimit të turizmit dhe hotelerisë në Evropë e më gjerë, krijimin e kontakteve me shkolla nga Evropa dhe pjesëmarrjen në gara të ndryshme të cilat janë organizuar me nxënësit nga shkollat pjesëmarrëse në ketë konferencë.

Anëtarësimi dhe pjesëmarrja e tri shkollave nga Kosova në Rrjetin Evropian të Shkollave të Hotelerisë dhe Turizmit “AEHT” është bërë i mundur me mbështetjen e programit “SEED faza dytë”, program ky i cili zbatohet nga Syri i Vizionit dhe Volkshilfe Solidarität dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim - ADA.