mendo globalisht,
vepro lokalisht

Ndihmo fëmijët me mësimet online dhe ktheje kohën e izolimit në argëtim

10.04.2020

Në këtë kohë pandemie kur të gjithë jemi izoluar nëpër shtëpitë tona, menaxhimi i durimit, stresit e kohës së lirë është një sprovë për secilin prej nesh. Mirëpo, ata që janë më të stresuar gjatë kësaj kohë janë fëmijët tuaj, pasi që pjesën më të madhe të kohës duhet t’ia përkushtojnë mësimit online i cili po organizohet nga Ministria e Arsimit përmes televizionit, shkolla dhe mësimdhënësit e tyre përmes Skype, Zoom, Viber, WhatsApp, e platformave tjera të ngjashme.

Nevoja e tyre për ndihmë nga ju si prindër në përdorimin e gjitha këtyre platformave për të arritur t’i zënë mësimet dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të mësimdhënësve është jashtëzakonisht e madhe. Veç kësaj, ata po ashtu kanë nevojë të udhëzohen si të nxënë mësimet pa ngarkesa emocionale shtesë.

Ata duhet ndihmuar nga ju si më të rritur, qoftë si prindër, motër apo vëlla si me mësimet online po ashtu edhe me organizimin dhe zhvillimin e ndonjë aktiviteti argëtues e rekreativ. Kështu arrihet të ulët niveli i stresit dhe mërzisë së fëmijëve, madje edhe i juaji, ku aktivitet e përbashkëta, qoftë përmes lojës – kuizeve, gjëegjëzave, etj. bëjnë që koha të kalojë më shpejtë dhe qëndrimi në shtëpi nuk do t’u shkaktojë telashe në aspektin psikologjik e emocional. Për më tepër, kjo do të ndikojë edhe në parandalimin të konflikteve të mundshme e dhunës në familje.

Përpiquni që gjatë kësaj kohe të shmanget kalimi i kohës duke shikuar televizor. Po që se veç pëlqeni të kaloni para televizorit, atëherë shikoni sa më shumë programe sportive, argëtuese, dokumentarë apo ndonjë film të parapëlqyer. Shmangni shikimin e programeve që lidhen me gjendjen e tanishme të pandemisë dhe zhvillimeve politike, sepse këto veç rrisin depresionin tek ju dhe familja.

Gjatë kësaj kohë të qëndrimit në shtëpi do të kemi mundësi shumë më të mëdha të mësojmë për njëri-tjetrin, të njihemi e kuptohemi më mirë duke mos gjykuar apo paragjykuar. Së bashku, do të arrijmë të jemi një familje shembull për tejkalimin e kësaj kohetë vështirë për të gjithë ne, duke mos lejuar që koha të na kthehet në depresion, stres e mërzi, por duke dhënë dashuri ndaj njëri-tjetrit, duke ndihmuar njëri-tjetrin në mësime, gatime e aktivitete tjera argëtuese.