mendo globalisht,
vepro lokalisht

Save the Children dhe Syri i Vizionit përuruan ekspozitën kushtuar Ditës Botërore të Fëmijëve

20.11.2020

Prishtinë, 20 nëntor 2020: Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve - 20 Nëntorit, organizatat Save the Children dhe Syri i Vizionit me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), përuruan ekspozitën e përkohshme kushtuar kësaj dite në monumentin e NEWBORN. Me këtë rast, në këtë monument fëmijët shpalosën porosi si “I WANT TO BE BORN AND GROW UP IN A WORLD WHERE IHAVE RIGHTS... to be alive, to quality education, healthcare... (ang: Dua të lind dhe të rritem në një botë ku kam të drejtën për jetë, për arsim cilësor, përkujdesje shëndetësore...), FREE OF COVID (ang: Pa COVID) dhe të drejtat tjera që përfshihën në Konventën për të Drejta të Fëmijës.

Shpalosja e këtyre mesazheve u bë nga fëmijët nga grupet monitoruese ‘Respect Our Rights’ dhe ‘Hëna’ ku me këtë rast anëtari i këtij grupi, Yll Kosumi u shpreh: "Në një mënyrë simbolike ne kemi dashur ta shënojmë 20 Nëntorin. Kjo ditë është një ditë e veçantë për ne për shkak se Konventa për të Drejta të Fëmijës përmban të gjitha ligjet të cilat mbrojnë fëmijët. Viti 2020 ka qënë një vit i begatë për ne, pasi që ka ndodhur kalimi i Ligjit për Mbrojtje të Fëmjës gjë që neve na ka gëzuar shumë. Ne sot kemi lansuar fushatën ‘Unë pa dhunë’ që synon të dërgoj mesazhin se dhuna nuk është asnjëherë opsion”.

Ndërkaq, drejtori vendor i Save the Children në Kosovë, Ahmet Kryeziu, tha:“Më lejoni që me këtë rast të uroj fëmjët për Ditën Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Kjo është një ditë ku ne synojmë t’i promovojmë të drejtat e fëmijës dhe t’i ftojmë sidomos institucionet për të investuar më shumë dhe t’i respektojnë të drejtat e fëmijës. Duke e pasur parasysh pandeminë dhe problemet me të cilat po ballafaqohemi, mendojmë se është një moment i rëndësishëm për të gjithë që të kontribuojmë dhe të angazhohemi më shumë për realizimin e të drejtave të fëmijës”. 

Në këtë përurim mori pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Habit Hajredini, i cili deklaroi: “Sot po lansojmë një fushatë të përbashkët të institucioneve të Kosovës së bashku me Save the Children dhe Syrin e Vizionit e cila ka për qëllim ta ngris vetëdijën e qytetarëve për mbrojtjen e fëmijëve. Është një obligim institucional për të punuar në mbrojtjen e fëmijës dhe implementimin e Ligjit për mbrojtje të fëmijës. Ne thërrasim për koordinim institucional dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile në angazhim për implementimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijës.” Në kuadër tëkëtij aktiviteti, Save the Children, Syri i Vizionit si dhe fëmijët e grupeve avokuese ‘Respect Our Rights’ e ‘Hëna’ e lansuan fushatën UNË PA DHUNË, e cila ka për synim ngritjen e vetëdijës për efektet dhe ndikimin e dhunës tek fëmijët. Me këtë rast, u lansua edhe një video promovuese - pjesë e kësaj fushate. Kjo vjen pas raportimeve të shumta shqetësuese të ngritjes së rasteve të dhunës në familje gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Po ashtu, gjatë të njëjtës ditë do të mbahet një takim online i fëmijëve me Komisionin Parlamentar për Arsim, ku do të paraqitet raporti për ndikimin e COVID-19 në arsimimin e fëmijëve. 

Këto aktivitete janë pjesë e fushatës ‘Rrite me Dashni’ e cila zbatohet nga Save the Children në bashkëpunim me Syrin e Vizionit dhe financim nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Fushata ka për qëllim ta ngris vetëdijën për rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë duke u bazuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.