mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i Vizionit me fushatë sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

08.12.2020

Pejë, 8 dhjetor 2020 –Organizata Syri i Vizionit në kuadër të projektit “Aleanca për Qytetari Aktive dhe Komuna të Përgjegjshme”, është duke zhvilluar fushatën sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, si pjesë e fushatës globale “16 Ditë Aktivizim”. 

Projekti ka për qëllim aktivizimin e qytetarëve në nivel lokal që të ndikojnë në zhvillimin e kapaciteteve të komunitetit, të organizohen për të përmirësuar jetën e tyre dhe të jenë pjesë përbërëse e vendimmarrjes në këtë nivel të qeverisjes.

Projekti po ashtu ka për qëllim edhe krijimin e mekanizmave zyrtarë për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve. Në këtë kuadër është duke u zhvilluar edhe fushata sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Aktivitetet janë duke u realizuar si pjesë e fushatës globale “16 Ditë Aktivizim”, përmes disa siluetave të vendosura në qendër të qytetit të Pejës me porosi kundër dhunës.

Kjo fushatë synon vetëdijësimin e qytetarëve që dhunën ta shohin si një dukuri të papranueshme në shoqëri dhe rastet e dhunës të denoncohen në institucionet përgjegjëse, në veçanti dhuna në familje, ku gratë e vajzat janë përjetuese të saj.

Projekti “Aleanca për Qytetari Aktive dhe Komuna të Përgjegjshme” mbështetet financiarisht nga Olof Palme International Center dhe SIDA.