mendo globalisht,
vepro lokalisht

Peja ndalon ngacmimin dhe abuzimin seksual ndaj nxënësve në shkolla edhe me rregullore

05.05.2021

Pejë - Drejtoria Komunale e Arsimit vitin e kaluar kishte iniciuar plotësim-ndryshimin e rregullores komunale “Të drejtat, detyrat, përgjegjësinë disiplinore dhe materiale, mungesat nga puna të punonjësve në institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese në Komunën e Pejës” për të ndaluar ngacmimin dhe abuzimin seksual ndaj nxënësve në të gjitha institucionet edukativo-arsimore para universitare edhe me këtë rregullore.

Pas këtij plotësim-ndryshimi dhe miratimit në Kuvendin Komunal, Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Syri i Vizionit, e cila ishte edhe pjesë e grupit punues për të promovuar dhe rritur përgjegjësinë në zbatimin e kësaj rregulloreje, kanë shtypur dhe shpërndarë disa kopje në një takim të përbashkët me drejtorët e institucioneve edukativo-arsimore para universitare. Me këtë ata edhe kanë krijuar mundësi e lehtësira për drejtorët  e shkollave dhe gjithë punonjësit e këtyre institucioneve në punën e tyre të përditshme t’i identifikojnë, parandalojnë dhe raportojnë me kohë rastet e ngacmimeve dhe abuzimit seksual tek institucionet përgjegjëse.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, nënkryetari Fatmir Asllani, Kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, Drejtori i Arsimit Besim Avdimetaj. Që të gjithë premtuan dhe u zotuan për mbikëqyrjen e rreptë të zbatimit të kësaj rregullore nga ana e institucioneve edukativo-arsimore në komunën e Pejës, me theks të veçantë parandalimin e ngacmimeve dhe abuzimit seksual, si një dukuri e cila ka ndodhur për çka edhe plotësim-ndryshimi i kësaj rregulloreje është parë i nevojshëm.

Ata po ashtu kanë falënderuar edhe organizatën Syri i Vizionit për angazhimin dhe kontributin edhë në në këtë rregullore, jo vetëm në shtypjen e saj por edhe në grupin punues.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të Ardhmen –Mbrojtja e Fëmijëve dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children, zyra në Kosovë.