mendo globalisht,
vepro lokalisht

Nis fushata “Rrypi nuk është për me m’rreh”

19.07.2021

Më 17 korrik, ditën kur është bërë një vit prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, Organizata Syri i Vizionit në partneritet me organizatën Save the Children në Kosovë dhe në bashkëpunim me Zyren për Qeverisje të Mirë si dhe Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione kanë realizuar fushatën sensibilizuese “Rrypi nuk është për me m’rreh” si pjesë e fushatës së ndalimit të ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve RriteMeDashni.

Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, tha se janë në kompletim e sipër të kornizës ligjore në mënyrë që fëmijët të jenë të mbrojtur nga çdo formë e dhunës: “Sot ka nisur fushata e përbashkët me këto dy organizata që ka për qëllim vetëdijësimin për të punuar më shumë në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe ne si institucione po kompletojmë kornizën ligjore. Nga këtu bëj thirrje që të ketë mobilizimin institucional nga të gjitha nivelet shoqërore që të zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës”. 

 

Në anën tjetër, Naser Lajqi, menaxher i projekt dhe njohës i fushës së mbrojtjes së fëmijës në organizatën Syri i Vizionit, apeloi tek të gjithë që Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës të gjej zbatueshmëri: “Apelojmë që të gjithë të rriturit të japin kontribut dhe të marrin përgjegjësi në pajtim me këtë Ligj dhe kështu të mbrojmë fëmijët kudo që janë duke parandaluar çdo lloj dhune ndaj tyre." 

Ndërsa Veton Kryeziu nga Save the Children tha se institucionet duhet që të punojnë më shumë në zbatimin e Ligjit: “Format e dhunës ndaj fëmijëve janë të dënueshme dhe duhet të parandalohen. Institucionet të punojnë që këtë ligj ta zbatojnë. Dhuna ndalohet në çdo formë. Ne si dy organizata vazhdimisht po u ofrojmë ndihmë institucioneve që fëmijëve t’u ofrojmë ambient të shëndetshëm për rritjen tyre”. 

Pjesë e fushatës “Rrypi nukështë për me m’rreh” ishin edhe fëmijët e Grupit Respect Our Rights-ROR. Kryesuesja e këtij grupi, Puhiza Shemsedini, ka kërkuar nga prindërit që rrypi të mos përdoret si mjet për të ushtruar dhunë ndaj fëmijëve, por për të mbajtur pantollonat: “Sot, në këtë fushatë po duam të sensibilizojmë në radhë të parë prindërit, që ata të kuptojnë rolin që rrypi ka, jo për të rrahur fëmijët, por për të lidhur pantollonat apo fundin. Edhe institucionet duhet të bëjnë shumë më shumë që ne fëmijët ta përjetojmë zbatimin e ligjit që na mbron, duke krijuar siguri dhe kushte e mundësi për neve kudo”, ka përfunduar ajo. 

Qëllimi i kësaj fushate është promovimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës - një vit pas hyrjes në fuqi dhe ndalimin e ndëshkimit trupor, duke ndërgjegjësuar dhe vetëdijësuar gjithë qytetarët për parandalimin e dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve si dhe  institucionet qeveritare të ndërmarrin veprime të menjëhershme në zbatimin e këtij Ligji që fëmijët të ndjejnë mbrojtjen dhe sigurinë dhe të drejtat që iu garantohen nga shteti.

Poashtu, ky aktivitet synon të rris vetëdijën e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë për pasojat që ka ndëshkimi trupor dhe përdorimi i dhunës e ushtrimi i dhunës, si një dukuri mjaft e shprehur në familje. 

Fushata e ndalimit të ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve RriteMeDashni realizohet në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes me të drejtat e fëmijëve “Detyrimi ynë për të ardhmen – Mbrojtja e fëmijëve dhe qeverisja e të drejtave të fëmijës” i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children, zyra në Kosovë, dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.