mendo globalisht,
vepro lokalisht

Syri i Vizionit mbështet tetë ndërmarrje start-up

13.05.2022

Pejë, 12 Maj –Organizata Syri i Vizionit (SiV) të enjten ka organizuar një ceremoni solemne për nënshkrimin e kontratave me tetë ndërmarrje start-up nga komunat Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik.

 

Kjo ceremoni u organizua në kuadër të programin dyvjeçar “Fuqizimi dhe punësimi i të rinjve, grave dhe grupeve tjera në nevojë në pesë komuna të Kosovës” i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian i cili ka nisur të zbatohet nga SiV në partneritet me organizatën “The Balkan Forum” si dhe Komunën e Istogut.

 

Mbështetja për këto ndërmarrje bëhet përmes komponentit së granteve. Ky komponent  i projektit synon krijimin e mundësive të zhvillimit të kapaciteteve të tyre në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe krijimin e vende të reja të punës për komunitetet e pafavorizuara si të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe ata nga grupet etnike pakicë (boshnjakë, serbë, romë, egjiptianë, ashkali), veçanërisht ata të moshës 15-30 vjeç.

 

Projekti si i tillë synon të ofrojë masa shtesë aktive për tregun e punës, si sigurimi i mbështetjes për trajnime specifike, trajnime në vend të punës, ofrim të praktikës në punë dhe vetëpunësimin e grupeve të cenueshme në Kosovë, në mënyrë specifike në komunat Pejë, Istog, Deçan, Klinë e Junik.