mendo globalisht,
vepro lokalisht

SiV dhe Spitali i Pejës nënshkruajnë marrëveshje partneriteti

23.08.2022

Përfaqësuesit e OJQ-së Syri i Vizionit (SiV) mbajtën një takim me ekzekutivin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës. Me këtë rast, përfaqësuesit e dy institucioneve nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit për zbatimin e projektit “Zhvillimi dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare për të ushqyerit dhe përmirësimi i praktikave të menaxhimit të sigurisë së ushqimit,” i cili zbatohet nga SiV në partneritet me Spitalin e Pejës dhe mbështetje financiare nga Humedica.

 

Në takim ishin të pranishëm drejtori ekzekutiv i Spitalit, Fazli Shala, Hidejete Krasniqi drejtore për infermieri, Selmon Kelmendi, drejtor i administratës dhe shërbimeve të përbashkëta si dhe përfaqësuesja SiV, Vlora Latifi - Koordinatore për organizimin dhe mbarëvajtjen e projektit.

 

Ky projekt ka për qëllim të përmirësojë ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor duke zbatuar dhe zhvilluar standarde të ushqyerit përmes trajnimeve në punë dhe kryerjes së aktiviteteve plotësuese për të përmirësuar aftësitë e personelit të spitalit nëpërmjet trajnimeve të aftësive të personalizuara dhe seminareve edukative.

 

Në takim po ashtu u krijua edhe lista me emrat e Grupit Drejtues të Projektit, i cili do të përbëhet nga shtatë anëtarë nga institucionet shëndetësore parësore, dytësore, shoqata e pacientëve dhe zbatuesi i projektit, të cilët do të kenë për qëllim zhvillimin dhe mbikëqyrjen e projektit dhe aktiviteteve të tij.