mendo globalisht,
vepro lokalisht

Thirrje për shprehje të interesimit

14.06.2017

Termat e Referencës

Trajnim: “Identifikimi dhe menaxhimi i rasteve të dhunës nga Qendra për Punë Sociale” 


Hyrje
Organizata Syri i Vizionit (SiV) është  regjistruar zyrtarisht si OJQ lokale në Shtator të vitit 2001, por ka filluar të funksionojë më herët që nga 1999 si Organizatë e Bazuar në Komunitet (CBO) në komunën e Pejës.
Përgjatë viteve të fundit, OJQ “Syri i Vizionit” ka zhvilluar partneritete të shumta me një spektër të gjerë të organizatave lokale dhe ndërkombëtare, komunave dhe faktorëve tjerë aktivë në Kosovë dhe Ballkan si: Komisioni Evropian, Save the Children në Kosovë, Olof Palme International Centre, Solidar Suisse, Volkshilfe Solidaritet, ADA, USAID, KEC, KFOS, DRC, CARE International, OSCE, etj.
Informata të përgjithshme
Syri i Vizionit, në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë, tash e pesë vite është duke punuar në programe mbi monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, që kanë për qëllim respektimin e Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës, në kuadër të të cilave ka zhvilluar projekte për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të dhunës,  ndëshkimit trupor dhe raportimit të rasteve të dhunës në shkollat e komunave Pejë, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë.
Në kuadër të programit tematik në fushën e mbrojtjes së fëmijës “Detyrimi ynë për të Ardhmen - Mbrojtja e Fëmijës dhe Qeverisja e të Drejtave të Fëmijës”, do të punohet në parandalimin e  dhunës dhe ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve në çdo ambient, krijimin e mekanizmave apo instrumenteve miqësore dhe  të besueshme ndaj fëmijëve për të raportuar rastet e dhunës, si dhe ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe gjithë shoqërisë mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe denoncimin e rasteve të tilla. Po ashtu, do të fokusohemi edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve që për mandat kanë mbrojtjen e fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve sa më profesionale dhe me kohë.
Lidhur me këtë çështje, Syri i Vizionit kërkon të angazhojë një trajner-profesionist (ekspert në fushën përkatëse) me përvojë në çështje të përafërta me ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijë, në mbrojtjen e fëmijëve dhe në fushën e të drejtave  të fëmijëve, si kategori të mbrojtura edhe me Konventë.


Qëllimi i Trajnimit
Ky trajnim organizohet posaçërisht për zyrtarët  e Qendrave për Punë Sociale në nivele komunale të Kosovës, prej të cilëve janë të ftuar  zyrtarët përkatës nga 4 komunat në të cilat Syri i Vizionit dhe Save the Children janë duke punuar në programin tematik të fushës së mbrojtjes së fëmijëve. Në trajnim do të marrë pjesë edhe stafi implementues i programit nga SiV dhe Save the Children.
Qëllimi i trajnimit është ngritja e kapaciteteve të zyrtarëve të Qendrave për Punë Sociale  në ofrimin e shërbimeve sociale sa më profesionale dhe me kohë për fëmijë dhe familje, për të identifikuar, parandaluar, dhe  reaguar ndaj rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe në menaxhimin e këtyre rasteve sipas procedurave ligjore duke mbrojtur interesin më të lartë të fëmijës.


Kontraktimi i Trajnuesit
Trajnuesi do të angazhohet me anë të një marrëveshje  për ofrimin e shërbimit nga Syri i Vizionit,  nën koordinimin e Menaxherit Tematik për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Menaxherit Tematik për Qeverisjen me të Drejtat e Fëmijëve, si dhe me përkrahje nga stafi gjeneral.


Detyrat dhe Përgjegjësitë:
Trajnuesi i angazhuar gjatë këtij trajnimi pritet që të:
-    Kontribuojë si ndërmjetësues/lehtësues për zyrtarët komunal të QPS-ve në sqarimin e konceptit të identifikimit të hershëm të dhunës ndaj fëmijëve, parandalimit të dhunës dhe menaxhimit të rasteve të dhunës.
-    Zhvillojë materialet e modulit të trajnimit për pjesëmarrësit në konsultim me stafin përgjegjës të SiV-it  dhe Save the Children;
-    Përgatisë materialet e nevojshme shtesë për trajnim duke përfshirë Agjendën për trajnim, në pajtueshmëri dhe konsulta paraprake me stafin përgjegjës të SiV-it  dhe Save the Children;
-    Udhëheqë trajnimin në mënyrë të përgjithshme, sqaron dhe shtjellon tematikën dhe termet përkatëse të identifikimit dhe menaxhimit të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve;
-    Organizon diskutime përmes metodave “stuhi mendimesh”, punës në grupe, punës individuale dhe prezantimeve rreth temave të përcaktuara në agjendë.
-    Ndan pyetësorin vlerësues paraprak dhe pas trajnimit, për të mbledhur inputet e pjesëmarrësve (Pyetësori bëhet në bashkëpunim me SiV dhe Save the Children).
-    Dorëzon një raport përfundimtar mbi ecurinë e trajnimeve, duke përfshirë të dhëna mbi pjesëmarrësit, çështjet kryesore të dala nga puna në grupe dhe/apo diskutimet, si dhe analizimin e të gjeturave nga rezultatet e para- dhe pas-testit.


Angazhimi i trajneri:
Angazhimi do të jetë në bazë ditorë ku në këtë do të përfshihet:
-    Përgatitja e të gjitha  materialeve dhe agjendës së trajnimit (një ditë)
-    Mbajtja e trajnimit dhe realizimi i pyetësorit vlerësuese (dy ditë)
-    Përgatitja dhe dorëzimi i raportit nga trajnimi dhe angazhimi i tij (një ditë)
Kushtet e Pagesës:
-    Pagesa e trajnuesit do të bëhet sipas faturës përkatëse për kryerjen e shërbimeve;
-       Pagesa do të realizohet përmes një transaksioni bankar në valuten Euro pas përfundimit të trajnimit, konkretisht pas dërgimit të raportit me shkrim;
Pagesa e trajnuesit do të kompensojë punën e kryer në:
-    Angazhimin në organizim të trajnimit (duke përfshirë të gjitha detajet e nevojshme);
-    Punën para-përgatitore dhe materialet e nevojshme për trajnimin;
-    Angazhimin për shkrimin e raportit përfundimtar;
Në bazë të ligjit të Kosovës, Syri i Vizionit është poashtu i obliguar që të paguajë tatimin (taksa dhe Pension) prej 10% të shumës bruto.
•    Shpenzimet e fjetjes/akomodimit dhe ushqimit do t’i mbulojë organizatori.


Raportimi
Si pjesë themelore e angazhimit të trajnuesit parashihet edhe pjesa e raportimit. Pagesa për angazhim kryhet pas pranimit të kënaqshëm të raportit, dërguar nga ana e trajnerit. Parashihet edhe plotësimi i pyetësorit,  i cili duhet të punohet në bashkëpunim me stafin e Syri i Vizionit dhe Save the Children para trajnimit dhe pas trajnimit (për vlerësim të njohurive te fituara) e që ndahet nga ana e trajnerit.
Dërgimi i raportit me shkrim nga ana e trajnuesit është obligativ pas përfundimit të trajnimit, brenda afatit një javor.


Personi përgjegjës në Syrin e Vizionit:
Naser Lajqi – Menaxher i programit
OJQ “Syri i Vizionit”
Rr.Isa Demaj. Nr.14-30 000 Pejë
tel. +377 (0) 44 695 650
      +381 (0) 39 423 240
 e-mail:[email protected]
 [email protected]
www.syriivizionit.org