mendo globalisht,
vepro lokalisht

Thirrje për Vullnetar/e dhe Anëtar/e

Syri i Vizionit është organizatë e cila realizon veprime lokale të bazuara në praktikat më të mira. Misioni i Organizatës është të mbështesë komunitetin me anë të informimit, avokimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së kapaciteteve të individëve, grupeve joformale, organizatave, institucioneve, rrjeteve e donatorëve.

Për të arritur vizionin dhe misionin e mësipërm, Syri i Vizionit zbaton një qasje bashkëpunuese dhe të hapur me partnerët, hisedarët, përfituesit, anëtarët si dhe vullnetarët e saj të shumtë.

Me zgjerimin e veprimeve si dhe rritjen e vet Organizatës, ka lindur nevoja për sistemin dhe shtimin e anëtarëve e vullnetarëve, prandaj edhe jemi duke u bërë thirrje njerëzve të të gjitha grup-moshave, me çfarëdo lloj aftësie që ata kanë, të kontribuojnë për një ndryshim të qëndrueshëm të vendit ku po jetojmë.

Duke u bazuar në vlerat e organizatës, të cilat mes tjerash përfshijnë: Respektimin e të gjithëve pa dallime; Punën në ekip dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit; Hapësirën e veprimit për vullnetarët; Besimin dhe përgjegjshmërinë, qasjen bashkëpunuese dhe gjithë-përfshirjen, ne u bëjmë thirrje të paraqiteni për Vullnetar/e apo Anëtar/e të Organizatës tonë për t'u bërë pjesë e ndryshimeve në shoqërinë tonë.

Vullnetar/e Duke qenë një organizatë jopolitike, e paanshme dhe e fokusuar drejt qytetarëve, Syri i Vizionit u mundëson që përpjekjet tuaja të drejtohen në mënyrën më të pavarur dhe ato të arrijnë tek ata që kanë nevojë për angazhimin tuaj.

Ne ofrojmë disa mënyra të angazhimit vullnetar në projekte e fushata të ndryshme për studentë, nxënës, praktikantë, hulumtues, grupe, individë, dhe këdo tjetër që është i/e interesuar të jep kontributin e tij/saj për mirëqenin e shoqërisë tonë.

Me regjistrimin si vullnetar ju bëheni pjesë e një grupi të angazhuar në këto aktivitete dhe jeni një hap më pranë organizatës.
Anëtar/e "Syri i Vizionit" ju krijon mundësinë anëtarëve të vet të sjellin brenda organizatës edhe vlera tjera që ata i përfaqësojnë, angazhohet në çuarjen më tej të kuazave të drejta që ata kanë dhe i bashkëngjitet zërit të tyre që vjen nga komuniteti të cilin e përfaqësojnë.

Anëtarësimi është shkallë më e lartë e përfaqësimit të qytetarit brenda organizatës, është një hap që të bën vendimmarrës brenda organizatës, pjesë e zhvillimit të saj. Automatikisht kjo ju jep një përparësi në angazhimet në fushatat dhe projektet që Syri i Vizonit realizon.

Ne në Syri i Vizionit i kushtojmë shumë rëndësi zbatimit të praktikave të mira, prandaj na ndihmoni ne dhe vetes ta ndryshojmë këtë vend për të mirë!